Rreth 34 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të fundit të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për Lëndët me Zgjedhje.

Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Edhe këtë vit maturantët zbatuan rregullat anti-COVID, kjo për shkak të situatës pandemike në të cilën ndodhemi. Në një klase kishte 10-15 maturantë. Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25% (15 pikë).

Në kuadër të masave anti-COVID, nëse një prej maturantëve rezultonte pozitiv me COVID-19, nuk mund ta bënte provimin ditën e sotme, por i jepej mundësia ta zhvillonte në sezonin e vjeshtës.

Në mënyrë kategorike ishte i ndaluar përdorimi i telefonit gjatë zhvillimit të provimit dhe nëse identifikohej e kundërta maturanti duhet të mbante përgjegjësinë e veprimeve të veta.

Pavarësisht kontrollit të rreptë të kryer nga stafi administrues i Maturës Shtetërore, tezat e provimit të Gjuhë-Letërsisë dhe teza e Matematikës doli në rrjetet sociale, pak pas fillimit të orarit zyrtar të provimit.

Ndërkohë që pas provimit të Matematikës, disa maturantë protestuan pasi hasën vështirësi në zgjidhjen e testit, ndërkohë që ministria uli pikët për çdo notë.

Maturantët kanë kryer më herët, pra me 3 qershor provimin e Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 7 qershor me Gjuhën shqipe, me Matematikën më 11 qershor dhe ditën e sotme me provimin e lëndës me zgjedhje. Maturantët mbyllin sot ciklin e provimeve për të vijuar me aplikimet në universitet.

Artikulli paraprak‘LUFTA’ ME COVID-19, VAKSINA NOVAVAX 90% EFEKTIVE, SË SHPEJTI KËRKESË PËR MIRATIM NGA FDA
Artikulli tjetërERIKSEN PUBLIKON FOTON NGA SPITALI: NDIHEM MIRË, POR MË DUHET TË BËJ ENDE DISA EKZAMINIME MJEKËSORE