Kryeministri Rama pritet që të prezantojë strukturën e re qeverisëse të tij për mandatin e ri.

Pas zgjedhjeve, kreu i qeverisë ka folur për një kabinet më të vogël, me më pak ministra dhe më efikas, por pa specifikuar asgjë më shumë. Ndërkohë, në të njëjtën linjë me tkurrjen e numrit të ministrive, është punuar gjatë muajit korrik edhe për efikasitetin e shërbimeve të institucioneve, agjencive dhe autoriteteve shtetërore duke i bashkuar apo shkrirë ndonjë prej tyre.

Grupi i punës i drejtuar nga Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ogerta Manastirliu duhet të analizojë organizimin administrativ në çdo sektor dhe të përgatisë një dokument rekomandimesh për reformën e administratës shtetërore. Ky dokument duhet të përmbajë një analizë të gjendjes ekzistuese, si edhe një draft-projekt ristrukturimi të rrjetit të agjencive, inspektorateve, zyrave kombëtare, rajonale e lokale; me propozime për shkrirjen, bashkimin, apo zgjerimin, rast pas rasti, të institucioneve ekzistuese.

Edhe ky dokument duhet të jetë gati për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë, në fund të gushtit”, u shpreh Kryeministri Rama në takimin me deputetët dhe kandidatët për deputetë më 3 korrik. Kreu i qeverisë kërkon edhe një marrëdhënie tjetër me Parlamentin. Grupi i punës që përbëhet nga Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Klodiana Spahiu, Ulsi Manja do të përgatisë një raport në formën e një dokumenti rekomandimesh për çdo aspekt të veprimtarisë parlamentare të partisë, si dhe të aktivitetit të deputetit, jo vetëm në Parlament, po edhe në zonën e përfaqësimit.

Artikulli paraprakZJARRET, VETËM NJË VATËR NË SHKODËR
Artikulli tjetërURA E BAHÇALLËKUT, DËMTOHEN MBROJTËSET ANËSORE