Gjermania po shndërrohet në një trend të ri emigrimi për shqiptarët e të gjitha shtresave, por sidomos ato më aftësi. Të dhënat e Eurostat treguan se, përgjatë viteve 2017-2019 lejet e qëndrimit për shqiptarët në Gjermani u dyfishuan. Stoku i lejeve të qëndrimit në Gjermani në vitin 2019 arriti në 42 mijë e 600 mijë persona nga rreth 24 mijë leje që ishin në vitin 2017. Në vitin 2011 në Gjermani ishin dhënë vetëm 8152 leje qëndrimi për shqiptarët. Lejet në rritje u nxiten nga trendi i ri i azilit për arsye ekonomike pas vitit 2015.

Në vitin 2016 rreth 67 mijë shqiptare u regjistruan si azilkërkues në BE shumica e të cilëve ishin në Gjermani. Qendra për studime Ekonomike dhe Sociale në Shqipëri në një anketë të fundit për emigracionin e aftësive ka gjetur se trendi i ri emigracionit është Gjermania.

Niveli i lartë i zhvillimit ekonomik e social, mundësia e punësimit për personat me edukim universitar dhe të kualifikuar, cilësia e lartë e edukimit terciar, kosto e ulët e tarifave universitare, ekzistenca e një komuniteti shqiptar në rritje të shpejtë, janë disa nga faktorët që shpjegojnë zhvendosjen e kurbës nga Italia te Gjermania, Ky perceptim i Gjermanisë, si një vend shumë i përparuar dhe që ofron mbështetje të mirë sociale, u rrit veçanërisht pas krizës ekonomike globale në 2008 dhe krizës së refugjatëve në 2015.

Gjatë viteve 2013–2018 thuajse 83.000 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani dhe më pas u rikthyen. Studentët thonë se Gjermania preferohet sepse universitetet i ka të një cilësie të lartë dhe thuajse falas. Veç kësaj Gjermania për momentin është lideri i Bashkimit Europian dhe ka mundësi më të mira punësimi.

Kjo dëshirë e studentëve shqiptarë për të studiuar në Gjermani reflektohet edhe në mësimin e gjuhës gjermane. Shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Shqipëri kanë filluar të mësojnë gjuhën gjermane në shkollë ose në kurse private.

Sipas Eurostat, për shtetasit nga Shqipëria janë dhënë deri në fund të vitit 2019 nga vendet e Bashkimit Europian rreth 868 mijë leje qëndrimi, duke u renditur e gjashta në botë për numrin e lejeve, pas Marokut, Turqisë, Ukrainës, Kinës dhe Sirisë. Ndërsa në raport me popullsinë, Shqipëria renditet e para në botë.

Artikulli paraprakSHKODËR, ARRESTOHEN 2 SHTETAS ME 4 MIJË FARE KANABISI
Artikulli tjetërSHKODËR, SHTOHET KËRKESAT NË ZYRËN LIGJORE FALAS