5 km rrugë që lidh fshatin Golem në Njësinë Administrative Rrethina me qendrën e Njësisë Administrative Postribë janë kthyer në rrezik për drejtuesit e automjeteve.

Edhe pse një rrugë e ndërtuar së fundmi, numri i aksidenteve me pasoja në njerëz ka qenë i lartë. I fundit ishte rasti i një dite më parë, ku 3 automjete u përfshinë në aksident automobilistik. Norma e shpejtësisë me të cilën lëvizin automjetet në këtë aks rrugor mbetet e lartë, pavarësisht disa aksioneve të policisë rrugore.

Ndërkohë, krahas rrezikut për drejtuesit e mjeteve që mund të përfshihen në aksidente rrugore, të rrezikuar janë edhe banorët e zonës. Fshati Hot i Ri shtrihet në dy anët e këtij aksi rrugor, ku edhe lëvizjet gjatë gjithë ditës janë të pranishme. Edhe më parë banorët e kësaj zonë kanë bërë thirrje për vendosjen e kurrizeve në rrugë me qëllim mbrojtjen e kalimtarëve, por edhe shmangien e aksidenteve.

Ndërkohë, si pasojë e aksidenteve të ndodhura më parë në këtë aks rrugor, një pjesë e sinjalistikës rrugore është dëmtuar. Gjatë 3 viteve të fundit aksidente të shumta janë shënuar në afërsi të fshatit Hot i Ri.

Në muajin Gusht të vitit 2015 në muajt prill dhe shtator të vitit 2016 dhe në mars të këtij viti, pikërisht në këtë zonë janë shënuar aksidente me pasoja në njerëz. I fundit ishte rasti i një dite më parë, ndërsa ky bilanc është apel për policinë rrugore që të marrë masa duke monitoruar vazhdimisht lëvizjet e automjeteve.

Artikulli paraprakKRYEMADHI: FRONT KOMBËTAR OPOZITAR KUNDËR MAZHORANCËS FIKTIVE
Artikulli tjetër“TË RINJTË QË FLASIN”