Kryetarja e sapo emëruar e LSI-së, Monika Kryemadhi, mblodhi sot për herë të parë Kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ajo tha se kushtet e reja pas zgjedhjeve të 25 qershorit e imponuan që të pranojë këtë përgjegjësi, për fatin e demokracisë në vend. Kryemadhi deklaroi se vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë më të fuqishme, pasi mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit siç tha ajo, është fiktive dhe ka dalë përmes një procesi të deformuar.

“Fatet e demokracisë janë në udhëkryq më shumë se asnjëherë tjetër dhe kjo kërkon krijimin e një fronti kombëtar opozitar pa dallime ideologjike pasi themeli i demokracisë, vota e lirë, është goditur rëndë”, u shpreh kryetarja e LSI. Ajo kërkoi angazhim maksimal për t’iu përgjigjur këtij momenti dhe përgjegjësisë politike.

Po ashtu nënvizoi se dotë vazhdohet me evidentimin e farsës së 25 qershorit, dhunën kriminale me faktet dhe dokumentet e shumta të manipulimit, të dhunës së egër të policisë.

“Kjo është detyrë tashmë, pasi opinioni publik minutë pas minute po njihet me fakte të reja dhe tronditëse të grabitjes dhe tjetërsimit të votës së 25 qershorit. Ne do bashkëpunojmë me të gjithë faktorët politikë dhe qytetarë për përmbushjen e këtij misioni”, tha ndër të tjera Kryemadhi.

Artikulli paraprakDËNOHET MASHTRUESI ME VIZAT ANGLEZE
Artikulli tjetërTË RREZIKUAR NË AKSIN HOT I RI – POSTRIBË