Ish trajneri i kombëtares shqiptare, italiani Gianni De Biasi vazhdon që me zemër të jetë me gjithë shqiptarët duke mos i harruar por edhe duke ruajtur respektin maksimal nga ana e tij. Idhulli i tifozërisë kuqezi, i vetmi që çoi Shqipërinë në një event të rëndësishëm si kampionati europian i futbollit “Euro 2016” ka treguar se është gjithnjë pranë shqiptarëve në çdo situatë të mundshme, si në momentet e gëzuara por edhe në ditët e vështira që Shqipëria po kalon që pas tërmetit të 26 nëntorit.

Duke e cilësuar Shqipërinë si shtëpinë e dytë duke qenë se mban edhe pasaportën shqiptare, De Bias ii është bashkuar mijëra miqve të tjerë të Shqipërisë duke qenë një tjetër promoter në Itali në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, De Biasi ka dhënë një mesazh sensibilizues:

“Përshëndetje të gjithëve. Miqtë e mi të solidaritetit në 14 dhjetor organizojnë një aktivitet çiklistik për mbledhje fondesh, që do i vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri. Ju ftoj të marrim pjesë të gjithë, të shumtë në numër. Edhe ne mund të japim ndihmën tonë. Forca Shqipëri”.

Gianni De Biasi është i lidhur ngushtë me Shqipërinë. Ka marrë dhe ka dhënë shumë nga ky vend. Italiani e ka futur emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar, si i pari që i çoi kuqezinjtë në një kompeticion madhor si “Euro 2016”. Në nëntor ishte në stadium për ta parë Shqipërinë në “Air Albania Stadium”, kurse së fundmi është solidarizuar me shqiptarët që u prekën nga tërmeti duke treguar lidhjen e tij të fortë me shqiptarët.

Edhe miliona shqiptarë nuk mund ta harrojnë De Biasin jo vetëm për suksesin që i dha Shqipërisë në kampionatin europian të futbollit por edhe për gjithë mbështetjen, respektin dhe mirënjohjen që italiani ka për mbarë kombin shqiptar.

Disa herë De Biassi ka treguar se ai do të jetë gjithnjë pranë shqiptarëve duke kontribuar në forma nga më të ndryshmet dhe e fundit është kjo nisëm e tij për t’ju gjendur pranë familjeve të prekura nga tërmeti.

Artikulli paraprakNDËRTIMET, BRAÇE: GARAZHET JANË SHARRUAR, RREZIKOJNË
Artikulli tjetërTËRMETI , FARMACI “VITA” NË SHKODËR DHURON ILAÇE