Që prej sulmeve të 13 nëntorit në Paris, autoritetet belge kanë ndërmarrë me dhjetëra operacione sigurie, kanë spastruar lagje të tëra, e madje e mbyllën thuajse plotësisht kryeqytetin për disa ditë.

Por, asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk arriti t’i trazonte planet e terroristëve për sulmet e koordinuara në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Brukselit dhe stacionin e metrosë në Maalbeek. Ky i fundit sidomos, përpos se përpjekje për të mbjellë terror, ishte një sinjal për bllokun europian. Me shpërthimin në Maalbeekun e ndodhur fare pranë institucioneve të BE-së u tregua se, ideja e paprekshmërisë nuk duhet parë më si e patjetërsueshme. Ngjarjet e fundit nxorrën në pah jo thjesht dobësinë e shërbimeve belge të sigurisë. Për ekspertët e inteligjencës, ato dëshmojnë sesa e cënueshme është Europa sot, në epokën e udhëtimit të kollajshëm, komunikimit të shpejtë dhe militantizmit në rritje. Pyetja që shtrohet tani është: si duhet vepruar në vazhdim? Shërbimeve europiane të sigurisë, me shumë gjasë do t’u duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre, edhe me rrezikun e rrudhjes së mëtejshme të lirive qytetare, në të kundërt, sulmet si këto të Brukselit – thotë “Neë York Times”, – do të bëhen pjesë e pashmangshme e jetës në shoqërinë e hapur europiane. Problemet që has Belgjika kërcënojnë tanimë jo vetëm shtetasit e saj, por edhe vet eksperimentin e integrimit të kontinentit të vjetër. Sesa do të jetë e aftë BE-ja t’i qëndrojë angazhimit të saj për kufij të hapur, një sfidë që i shtohet viteve të tëra krize ekonomike, kjo për të përditshmen prestigjioze mbetet për t’u parë. Shërbimet sekrete e kanë përsëritur vazhdimisht se, një goditje terroriste në tokën europiane do të ishte thjesht çështje kohe. Shpërthimet e së martës shtojnë drojën se, edhe me masat më të jashtëzakonshme të sigurisë, shoqëritë europiane nuk do të jenë kurrë të përjashtuara nga çdo rrezik.

Artikulli paraprakZONAT “TEPE” DHE “STACIONI I TRENIT” MES PLEHRAVE
Artikulli tjetërDREJTORI I UJËSJELLËSIT PËRGJIGJET PËR BANORËT E FERMENTIMIT