Një aksident me turistë gjerman ndodhi në vendin e quajtur “Qafa e Pejës” në fshatin turistik të Thethit në Dukagjin. Katër turist nga Gjermania mbetën të bllokuar mes thepave të malit ndërsa njëri prej tyre, shtetasi Timo Misler, 34 vjeç dëmtoi këmbën dhe e kishte të pamundur për të ecur. Fillimisht ka shkuar helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpëtuar por ka qenë e pamundur. Më pas herën e dytë ka ardhur një helikopter i forcave të ushtrisë dhe më pas është arritur që të nxirret nga vendi ku kishte mbetur i bllokuar duke arritur që të shpëtojë me ndërhyrjen e dytë nga ajri.

Në këtë operacion një ndihmesë të madhe dhanë edhe banorët e zonës së Thethit duke u vënë në gatishmëri për të shpëtuar turistin gjerman. Turisti gjerman që u shpëtua është transportuar drejt spitalit të traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës në njoftimin e saj bën të ditur se në vendin e quajtur “Qafa e Pejës”, 4 turistët gjermanë, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në mes të malit ku njëri prej tyre ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.

Sipas policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Postën e Policisë Theth dhe me shërbimet e emergjencave civile, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Shërbimet e emergjencave civile kanë kontrolluar zonën me helikopter dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve. Turisti i dëmtuar është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë Tiranë për ndihmë mjekësore.

Policia thotë se falë punës së mirëorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e 3 turistëve të tjerë nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar. Në fund efektivët tregojnë se turistët gjerman kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord. Kujtojmë se rastet e humbjes së jetës të turistëve të huaj në Theth apo rastet e aksidenteve po kthehen në një shqetësim pasi ata kërkojnë të eksplorojnë zona ku nuk rekomandohet kalimi duke sjellë më pas këto situata të vështira si në rastin e katër turistëve nga Gjermania.

Artikulli paraprakKUVENDI MBLIDHET TË MËRKURËN, NË REND TË DITËS RRITJA E PAGËS SË GJYQTARËVE TË KUSHTETUESES
Artikulli tjetërARSIMI PROFESIONAL MERR VËMENDJEN E GJERMANISË