9 vite më parë plumbat e gjakmarrjes i morën jetën pastorit të Kishës Ungjillore në Shkodër Dritan Prroj duke ndërprerë në mes ëndrrat e një misionari 27 vjeçar. Sot pas 9 vitesh pastorit që nuk jeton më këshilli bashkiak i Shkodrës i akordoi titullin “Mirënjohja e Qytetit” ndërsa iu dorëzua familjarëve në një ceremoni të posaçme. I pranishëm në këtë aktivitet, arqipeshkëvi i Shkodrës monsinjor Angelo Massafra tha se askush s’ka të drejtë të vrasë

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi i dorëzoi familjarëve të pastorit Dritan Prroj titullin “Mirënjohja e Qytetit”

Bashkëshortja e pastorit, Elona Prroj në praninë e prindërve të Dritanit të ndjerë përcolli disa mesazhe të forta duke treguar sakrificat e tyre por edhe faljen që ata bënë pas vrasjes së të birit.

Kur plumbat i morën jetën, pastorit Dritan Prroj kishte në çantën e tij biblën por dhe një projekt kundër gjakmarrjes. Bashkëshortja e tij e vazhdoj këtë ëndërr duke krijuar fondacionin “Jo gjakmarrjes, pro jetës”

Për 5 vite me radhë Dritan Prroj dhe familja e tij qëndruan të ngujuar pas një vrasje që kishte kryer xhaxhai i tij derisa 9 vite më parë teksa po shkonte për të marrë fëmijët, gjaksi e ndjeku në mes të pedonales duke i marrë jetën.

Gjakmarrja është një fenomen që ende vijon të jetë prezent duke lënë shumë familje në vuajtje por edhe varfëri bashkë me dhjetra fëmijë të pashkolluar nga frika se e nesërmja e i gjen të vrarë.