Eurodeputeti irlandez Ciaran Cuffe, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Europian duke mbajtur veshur bluzën e Kombëtares shqiptare.

Gjatë fjalimit të tij, Cuffe shprehu mbështetjen për Shqipërinë, duke thënë se duhen hapur negociatat për anëtarësimin menjëherë, pasi Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha.

“Lufta në Ukrainë na tregoi, se paqja është e brishtë. Në vitet 90, vendet e Ballkanit Perëndimor na e rikujtuan këtë. Nuk duhet të harrojmë kurrë, se vetëm përmes dialogut, mund të kapërcejmë urrejtjen, dhunën dhe përplasjet midis kombeve. Bashkimi Europian është një forum për shtet anëtare për të gjetur kompromise përmes fjalëve dhe jo armëve.

Duke pushtuar Ukrainën, Rusia sfidoi këto vlera themelore. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë me ne këto vlera, por spektri i luftës rëndon mbi rajonin. Unë kam qenë në Shqipëri së fundmi, siç mund ta shihni dhe pashë për herë të parë zhgënjimin në rritje me procesin e integrimit europian.

Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha ndaj ne duhet të hapim menjëherë negociatat e anëtarësimit. Nëse nuk e bëjmë jo vetëm që ne nuk do jemi në lartësinë e përgjegjësive tona, por ne rrezikojmë që të rrisim ndërhyrjen e atyre që përdhosin vlerat tona”, tha ai.