Vettingu në fuqi, gjyqtarë e prokurorë depozitojnë deklaratat në ILDKPI

Gjyqtarë e prokurorë këtë të hënë kanë nisur zyrtarisht depozitimin e formularëve të rivlersimit të pasurive dhe atë të aftësive profesionale pranë institucioneve përkatëse dhe kryesisht inspektoriatit të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesit. Ndër të parët që janë paraqitur këtë të hënë pranë ILDKPI-së ishin dy zv.drejtuesit e prokurorisë së Tiranës Erjon Pano dhe Arben Nela si dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Ervin Metalla ish-kreu i Gjykatës së Durrësit. Pas pezullimit disa javorë të procesit të depozitimit të formularëve rreth 800 prokurorë e gjyqtarë përfshirë dhe ndihmësit ligjorë kanë edhe 10 ditë afat për të depozituar formularët dhe pritet që ky proces të përmbyllet më 28 Janar. Nuk dihet nëse do të ketë një shtyrje të këtij afati, por gjithçka ishte parashikuar të përfundonte fillimisht me miratimin e ligjit të rivlersimit njohur si “vetting” më 7 nëntor 2016. Ndërkohë Report Tv ka mësuar se me fillimin e kësaj jave në Shqipëri kanë mbërritur përfaqësuesit e parë të operacionit ndërkombëtarë të monitorimit të cilët do të asistojnë në procesin e rivlersimit të aktorëve të drejtësisë. Veç deklarimit të formularëve të rivlersimit të pasurive të tyre dhe familjarëve aktorët e drejtësisë do t’i nënshtrohen dhe vlerësimit moral dhe kontakteve me botën e krimit apo figurën e tyre morale.

Artikulli paraprakAVOKATI I POPULLIT, “LIGJET” SEANCË DËGJIMORE ME KANDIDATËT TË MËRKURËN
Artikulli tjetërSHQIPTARI I ARRESTUAR NË VJENË NJERI “ME PESHË” NË QARQET RADIKALE TË ISIS