Vllaznia do të ketë një sfidë delikate me rikthimin e Superiores. Shkodranët do të jenë përballë Laçit, ditën e premte në orën 17:00, me duelin që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, ku kuqeblutë patjetër që do të kërkojnë reagimin para publikut të tyre dhe pas një periudhe plot ulje dhe ngritje. Megjithatë, edhe në këtë ndeshje, skuadra duket se nuk do të jetë e plotë. Kështu, Bekim Balaj nuk do të jetë mungesa e vetme e rëndësishme e Vllaznisë në ndeshjen e së premtes ndaj Laçit, pasi përveç tij do të mungojë sërish edhe mesfushori anësor, Esat Mala. Ky i fundit ka disa kohë që po qëndron jashtë fushës së stërvitjes si pasojë e shqetësimeve që ka ndjerë në muskujt rrëzë kofshëve dhe për këtë arsye, mjekët i kanë rekomanduar pushim edhe këtë ndeshje ndaj Laçit.

Ai vazhdon të jetë larg ekipit, ç’ka do të thotë se edhe në ndeshjen ndaj kurbinasve nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Qatip Osmani. Mungesa e tij është një problem i madh për stafin teknik, sepse dihen vlerat e këtij futbollisti. Megjithatë, ky është realiteti dhe planet edhe këtë herë duhen bërë pa numrin 20 të kuqebluve. Me gjasa, vendin e tij në ndeshjen ndaj Laçit pritet ta marrë Darko Dodev, maqedonasi i afruar në merkaton e verës. Poashtu, shkodranët ndaj kurbinasve do të vuajnë edhe mungesën e futbollistit kryesor të tyre. Fjala është për Bekim Balajn, i cili nuk do të jetë në duelin e javës së 13-të, kjo si pasojë e plotësimit të numrit të kartonëve.

Ai që pritet ta zëvendësojë shtatlartin do të jetë Bruno Gomes. Braziliani ka vuajtur dëmtimet që nga fillimi i sezonit, por tashmë duket në gjendje optimale për ta nisur nga fillimi, ku këtë e vërtetoi edhe ndeshja mes grupit, me sulmuesin që shënoi tre gola. Një opsion tjetër për majën e sulmit mund të jetë edhe Ildi Gruda. Edhe pse ai nuk është një sulmues tipik, 23-vjeçari e ka bërë disa herë në të shkuarën e tij rolin e 9-shit dhe Gruda mund të jetë një alternativë tjetër për ndeshjen ndaj Laçit. Megjithatë, për të parë se kush do të jetë si titullar në formacionin kuqeblu ndaj kurbinasve duhet të presim deri të premten, ditë kur Vllaznia do të zbresë në fushë për të tentuar kthesën në kampionat.

Artikulli paraprakVARFËRI E SËMUNDJE, JETA E FAMILJES MARKAJ
Artikulli tjetërFESTOJNË FËMIJËT E SHKODRËS DHE PRISHTINËS