Vllaznia e ka nisur kampionatin me të njëjtin ritëm si sezonin e kaluar, duke shënuar humbjen e parë e duke mos treguar asgjë në fushën e lojës ndaj Teutës ku u mundën 2-0. Durrsakët kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë loje dhe ato u kanë mjaftuar për të marrë tre pikë të tjera. Vllaznia nuk ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Përsa i përket formacionit, kuqeblutë kanë patur disa mungesa. Dy malazezët, portieri Dragojeviç dhe mbrojtësi Cicmil nuk janë aktivizuar sepse nuk u kanë ardhur leje- kalimet nga klubet e mëparshme. Kjo krijoi probleme për trajnerin Zmijani të cilët i është dashur të ndryshojë shumë gjëra në formacion.

Po ashtu nuk është aktivizuar një tjetër blerje, ajo e beratasit Arbri që nuk është në kontigjentin e tij më të mirë fizik. Ndeshja ka nisur me Sherrin në portë për të vazhduar me Gurishtën në të djathtë të mbrojtjes, Haxhajn e Markun në qendër dhe Hakajn në të majtë. Borshi ndërkohë ka luajtur para mbrojtjes bashkë me Krymin dhe Ahmetin ndërsa në krahë kanë qenë Shtubina e Lushtaku dhe në majë të sulmit Kdouh. Loja e kuqqebluve nuk ngjitet për asnjë moment në lartësinë e duhur por në minutën e 26-të mbrojtësi Erand Hoxha kalon në avantazh Teutën. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për vendasit.Pjesa e dytë nis me një ndryshim kur largohet Krymi dhe në vend të tij është Kapaklija. Pak minuta më vonë largohet edhe libanezi Kdouh dhe në vend të tij është Kiri e po ashtu largohet edhe mbrojtësi Haxhaj dhe në vend të tij është Çinari. Duket një përmirësim në lojë por mungon fuqia konkluduese dhe atë që se bëjnë shkodranët e bëjnë sërish vendasit. Magani kërcen bukur me kokë duke e dërguar në rrjetë një top të ardhur nga e djathta. Këtu duket se ndeshja mbaron dhe në fakt kështu ndodh. Vllaznia ka vetëm dy raste me anë të Kapaklijës dhe Ahmetit që gjuajnë nga jashtë zone por topat kalojnë mbi traversë. Përfundimisht 0-2 dhe kuqeblutë e nisin kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme ndërkohë që kalendari I ndeshjeve të ardhshme nuk është aspak i lehtë teksa do të ndeshen me Skënderbeun dhe Partizanin.

Artikulli paraprakDEDVUKAJ: NJOLLAT E ZEZA DREJT ZHDUKJES NGA LISTA
Artikulli tjetërSELMANI: DREJTUESIT E VLLAZNISË PA KOD MORAL DHE ETIK