Arsid Kruja ka përmbyllur telenovelën me ekipin arab Al Hajr dhe tashmë do të jtë sërish futbollist i Vllaznisë.

Mesfushori shkodran u largua me bujë nga kuqeblutë duke firmosur për Al Hajr por kjo aventurë e tij rezultoi një makth i vërtetë. Lojtari humbi shumë sepse u transferua në ekipe të ndryshme duke mos arritur që të marrë atë që mendonte me kontratën e re në atë kohë. Gjithsesi futbollisti ka mbyllur gjithçka me arabët duke qenë lojtar i lirë. Sapo gjyqet kanë përfunduar, Kruja ka firmosur një kontratë të re me Vllazninë. Për dy vitet e ardhshme shkodrani do të jetë pjesë e kuqebluve. Edhe pse nuk është në formën e tij më të mirë pritet që me pjesën tjetër të grupit të arrijë një formë optimale dhe të jetë në gjendje të përballojë 90 minutat e lojës. Nga sa mësohet portieri Delibashiç i ardhur sëfundmi në provë do të kthehet mbrapsht sepse për stafin teknik nuk është i vlefshëm. Pjesa tjetër do të vijojnë provën. Ditën e premte Vllaznia do të luaj një tjetër miqësore. Do të jetë sërish Mali i Zi dhe këtë radhë përballja ndaj ekipit të Mornarit në Tivar. Është zëvendëstrajneri i kuqebluve Aleksandër Maxhar ai që ka mundësuar zhvillimin e kësaj miqësoreje për shkak se vjen nga andej. Kështu pas miqësores me Deçiçin në Tuz ku Vllaznia fitoi 2-1 do të ketë një tjetër provë. Trajneri Cungu pritet që të provojë sërish sulmuesin serb Rakiç që është drejt një akordi me Vllazninë dhe po ashtu mesfushorin sulmues Markoviç si dhe portierin Agoviç që gjithashtu është pranë firmosjes me kuqeblutë. Në ditët në vijim pritet të vijnë të tjerë lojtarë në provë.

Artikulli paraprakMARADONA: DO TË BËHESHA TRAJNER I KËTIJ EKIPI PA AS 1 EURO RROGË
Artikulli tjetërPALËT BIEN DAKORT, PD PRO MIRATIMIT TË REFORMËS