5 fitore radhazi janë shifra që flasin qartë, Vllaznia është rikthyer fuqishëm në garë, të paktën për të blinduar prezencën e tyre në “final four”. Ekipi i Osmanit vijon ecurinë perfekte, këtë herë duke marrë një trepikësh në transfertë përballë Erzenit. Në një sfidë mes të barabartësh ai që bëri diferencën ishte një gol i Stojanovic.

Në Rrogozhinë, dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, por po shumë raste të pastra. I pari që flirtoi me golin ishte Bekim Balaj, me kapitenin që lëshoi një predhë të vërtetë nga goditja e dënimit, por portieri Puja në pozicion grushtoi duke larguar një rast të rrezikshëm nga zona e tij. Në të 37-tën ishte Erzeni që iu afrua golit të avantazhit gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, por portieri Qarri u tregua i kujdesshëm. Historia nuk ndryshoi shumë as në pjesën e dytë, por një episod i veçantë erdhi në minutën e 65-të ku gjyqtarit të takimit iu deshën afro 7 minuta për të marrë një vendim, nëse ishte apo jo penallti, ku shkodranët pretenduan për një prekje të topit me dorë, me ndihmën e sistemit VAR gjyqtari vijoi lojën.

Momenti më përcaktues i këtij takimi erdhi në minutën e 86-të, ku Stojanovic përfitoi nga një gafë e portierit Puja duke realizuar një gol me shumë peshë, një gol që në fund rezultoi një trepikësh.

Artikulli paraprakTEATRI “MIGJENI” E NIS VITIN ME SHFAQJE PËR FËMIJË
Artikulli tjetërMJETI BOREPASTRUES PËRMBYSET GJATË PUNËS NË RRUGËN E KOMBIT NË AFERSI TË TUNELIT TË KALIMASHIT