Volejbollistët e Vllaznisë kanë zvogëluar shanset e tyre për të fituar titullin kampion këtë vit. Shkodranët kanë humbur edhe ndeshjen e dytë finale me Partizanin. Në përballjen e luajtur në Tiranë, Partizani fitoi 3-2 ndaj Vllaznisë me të njëjtin rezultat si në Shkodër. Tashmë pas kësaj humbjeje të kuqtë shkojnë në 2-0 sa i përket përballjeve finale.

Tashmë në total janë edhe tri ndeshje për t’u luajtur dhe Vllaznia matematikisht është ende në lojë por kryeqytetasve i mjafton vetëm një fitore në këto tri ndeshje për të siguruar titullin kampion. Nga ana tjetër Vllaznisë i nevojitet një kthesë e madhe. I duhet medoemos për të fituar dy ndeshje radhazi ndaj Partizanit për të barazuar në 2-2 dhe për të shpresuar më pas në përballjen e fundit.

Kjo duket një mision i vështirë për shkodranët por megjithatë do të tentojnë deri në fund duke mos u dorëzuar. Edhe në Tiranë Vllaznia zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke dominuar në pjesë të ndryshme takimin e dytë final por në fund ashtu si në përballjen e parë eksperienca dhe qetësia e të kuqve i dha atyre fitoren.

Partizani e nis më mirë ndeshjen teksa fiton setin e parë lehtësisht 25-15 por më pas has në rezistencën e Vllaznisë. Shkodranët reagojnë menjëherë dhe fitojnë 25-16 setin e dytë duke barazuar në 1-1 lojën. Kuqeblutë bëjnë gjithçka mirë edhe në setin e tretë duke e fituar 25-23 dhe duke kthyer avantazhin në anën e tyre.

Në setin e katërt Partizani mobilizohet edhe njëherë ndërsa e fiton 25-23 duke lënë gjithçka në setin e pestë. Vllaznia tenton por nuk ia del pasi vendasin e fitojnë 15-11 dhe krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Pas kësaj fitoreje kryeqytetasit kryesojnë në 2-0 në përballjet finale dhe tashmë shkodranëve i duhet thuajse ndonjë mrekulli për të barazuar në 2-2 apo për të fituar titullin kampion.

Artikulli paraprakSHKODËR, QËLLOI NË SHTËPI, ARRESTOHET 25 VJEÇARI
Artikulli tjetërEDI RAMA : 10 VJET BURG PËR MASHTRUESIT E USHQIMEVE