Arrestohet personi i gjashtë për grabitjen brenda aeroportit të Rinasit në datë 9 prill, ‘Daja’ nga Kosova.

Ai është Ragip Haxhiajdini i njohur edhe me mbiemrin Hajdini 50-vjeç nga Peja, ndërsa u arrestua pasditen e sotme tek ‘Shkëmbi i Kavajës’ në një pronë të tijën.

Ai akuzohet si pjesë e grupit që bënë grabitjen në Rinas dhe për strehimin e kreut të bandës Admir Murataj para se të ekzekutohej, pasi ishte në kërkim për grabitjet e tjera në Shqipëri dhe ato në Greqi.

Ishte i penduari i drejtësisë Alkond Bengasi personi që përmendi për herë të parë para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin ‘Daja’. Me të njëjtin pseudonim, ‘Daja’ në rrëfimin e tij, Bengasi i referohet edhe Admir Muratajt, tropojanit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes.

“Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”” deklaroi Bengasi para grupit hetimor.

Përpos ‘Dajës’ nga Kosova Ragip Haxhiajdini, janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë.

Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.
Kosovari i Rinasit vodhi 25 kg ar në Pejë, dyshohet edhe për grabitjen e bankës në Istog

Grupi që po merret me zbulimin dhe gjurmimin e kësaj ngjarjeje kishte vënë në shënjestër dy persona që strehohen në zonën e plazhit në Durrës. Sot sipas informacioneve grupi operacional ka arrestuar njërin prej tyre.

Prej ditësh ata janë në përgjim dhe survejim. Operacioni nga Tirana nisi pasditen e sotme, fillimisht me rrethimin e një perimetri 1 km nga disa efektivë civilë në zonën e plazhit, që kanë ardhur me katër makina pa u kuptuar dhe më pas kanë ndërhyrë duke e arrestuar.

Burime  pohuan se “Është ngjarje e vështirë, që po zbardhet has pas hapi”.Ragip Haxhiajdini është personi i gjashtë që u arrestua për grabitjen në Rinas.

Ai është nga Peja, 50-vjeç dhe me precedent penal, pasi në 2012 është akuzuar se ka vjedhur edhe 25 kg ar së bashku me pesë persona të tjerë në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Pejës.

Një prokuror i EULEX-it, që kreu hetimet dyshonte se Ragim Bytyqi, Ragip Haxhiajdini, Xhemë Gashi dhe Kushtrim Kastrati janë të implikuar në vjedhjen e arit.

Ky grup kriminal që bëri grabitjen në Rinas, ku është i përfshirë edhe Ragip Haxhiajdini dyshohet edhe për grabitjen e një banke në Istog në fund të vitit të kaluar në Kosovë ku u vra një efektiv policie.

Artikulli paraprak3 MUAJ PAS VDEKJES SË EMILIANO SALA, NDËRRON JETË BABAI I TIJ
Artikulli tjetërE PËRPLASI MAKINA, 42-VJEÇARI HUMB BETEJËN ME VDEKJEN