Këshilli I Qarkut Shkodër ka reaguar përmes një deklarate në lidhje me zjarrin që përfshiu godinën e prefekturës së Qarkut Shkodër. Në postimin e tyre thuhet se ky incident shërben si një kujtesë për nevojën urgjente të përmirësimit të infrastrukturës të shpërndarjes së energjisë që është lënë në gjendje jo të mirë teknike. Në postimin e tyre thuhet: Sot në mesditë, një zjarr i vogël shpërtheu në një degë shpërndarëse të energjisë elektrike të vendosur pranë godinës së Këshillit të Qarkut Shkodër. Zjarri, i cili u kap në kohë, u shua shpejt nga shërbimet e zjarrfikësve dhe punonjësve të OSHEE, të cilët rikthyen situatën në normalitet.
Ky incident shërben si një kujtesë për nevojën urgjente të përmirësimit të infrastrukturës të shpërndarjes së energjisë që është lënë në gjendje jo të mirë teknike.
Dega shpërndarëse në fjalë është thelbësore, pasi furnizon me energji elektrike jo vetëm godinën e Këshillit të Qarkut dhe Prefekturën, por edhe shkolla, njësi shërbimi dhe familje të shumta.
Mungesa e një kabine të përshtatshme për shpërndarjen e energjisë krijon një situatë të rrezikshme dhe të papërshtatshme.
Ne bëjmë thirrje për veprime urgjente nga Drejtoria e Shpërndarjes së Energjisë për të adresuar këto çështje dhe për të garantuar një shpërndarje të sigurt dhe të qëndrueshme të energjisë elektrike në të gjitha institucionet e përfshira.
Është jetike që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar ndërprerje të furnizimit me energji dhe për të shmangur rrezikun e zjarreve në të ardhmen.
Ne falënderojmë shërbimet e zjarrfikësve dhe punonjësve të OSHEE për përgjigjen e tyre të shpejtë dhe efikase, dhe sigurojmë publikun se jemi të përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë banorët e Qarkut Shkodër.

Artikulli paraprakURSULA VON DER LEYEN DO TË TAKOHET ME VUÇIÇ TË ENJTEN NË DAVOS
Artikulli tjetër32 VJETORI I THEMELIMIT TË FRESSH, KREU I FRESSH NË SHKODËR METUSHI U BËN THIRRJE TË RINJVE TË BASHKOHEN