Dymbëdhjetë milion hektarë pyje në pellgun e Amazonës, sa sipërfaqja e gjithë Greqisë, janë kthyer në hi për shkak të zjarreve. Veç Brazilit që ka paguar çmimin e lartë prej gjuhëve të flakëve, edhe 9 vende të tjera, pjesë e Amazonës, po vuajnë pasojat e zjarreve.

Në Bolivi, që nga muaji janar, 5 milion hektarë pyje dhe savana janë përpirë nga flakët.

Sipas të dhënave të Universitetit të Santa Cruz, prej zjarreve janë zhdukur më shumë se dy milion kafshë të egra.

Në pyllin e Çikitania, në pjesën verilindore të Bolivisë, pavarësisht përfshirjes së helikopterëve dhe popullatës vendase në fikjen e flakëve, janë aktiv ende 45 zjarre.

Ndër shkaqet që shkaktojnë krimin ambjental është praktika e lashtë e Çakeo, e cila konsiston në prerjen e pemëve dhe bimësisë dhe më pas vënien zjarr të fushave.

Evo Morales, i pari indigjen që u bë president, kandidat për mandatin e katërt, është akuzuar nga ambientalistët dhe banorët për inkurajimin e vendosjes së zjarreve, pas dekretimit me ligj të praktikës Çakeo, e cila ka për qëllim transofmimim e zonave pyjore në toka të punueshme bujqësore.

Morales ka kërkuar gjithashtu ndërhyrjen e Bashkimit Evropian pas protestave masive.

Banorët dhe ambientalistët kërkojnë nga presidenti Bolivian që të deklarojë gjendjen e katastrofës natyrore, në mënyrë që të zhbllokojë ndihma të mëtejshme ndërkombëtare.

Në muajin gusht, në Amazon pati 30.901 shpërthime zjarri, gati tre herë më shumë se një vit më parë.

Pas samitit të G7-ës dhe nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, presidenti brazilian Jaïr Bolsonaro, pas disa javësh në të cilat ai vazhdoi të argumentojë se zjarret në Amazon ishin “një çështje e brendshme”, vendosi të ndalojë djegien për arsye bujqësore.