Ndryshimet klimatike dhe reshjet e shiut të rëna gjatë natës mendohet të jenë shkaku kryesor që kanë sjellë shembjen e këtij masivi të madh në njërën prej rrugëve që të çon në kalanë Rozafa. Në fakt guri që është shembur në fillim duket sikur është vendosur me dorë aty dhe nuk të jep përshtypjen se ka rënë nga muret e kalasë Rozafa.

Mjaftojnë vetëm pak çaste për të qëndruar aty dhe fare thjeshtë kupton qartazi se guri i madh që ka zënë rrugën është shkëputur nga pak metra më lart. Një vështrim përreth mureve të Rozafatit të tregon edhe vendin se nga ku është shembur ky gur. Kjo është pjesa nga ku është shkëputur guri i madh. Lartësia nga ku ka rënë nuk është më shumë se afro 10 metër. Ende nuk është shumë e qartë nëse ky masiv është shembur gjatë orëve të natës apo në orët e ditës së sotme. Këtë nuk e kanë të qartë as vetë banorët. Ajo që të bën përshtypje është se ende asnjë prej autoriteteve duket se nuk ka informacion dhe madje nuk ka marrë asnjë masë e nuk ka reaguar qoftë për të parë mbi shkaqet e shembjes e po ashtu edhe për të spostuar guri që ka zënë rrugën. Dita e hënë, duke qenë se është edhe fillimi i javës dhe ka një fluks të madh vizitorësh ka qenë tmerr për mjetet motorike që kanë kaluar aty. Normalisht policia mund ta kishte bllokuar atë anë të rrugës deri në heqjen e masivit por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje makinat me shumë vështirësi janë detyruar të përshkohen aty duke qenë se kthimi pas për të kaluar nga rruga tjetër që të çon në kala rezultonte një stres më vete për shkak të trafikut të madh në hyrje të qytetit. Kësaj here shembja e gurit nuk krijoi incident por nëse vazhdohet me indiferentizëm në rastin e dytë mund të kemi ndonjë aksident tragjik.

Artikulli paraprakMAQEDONIA KËRKON NDIHMË NGA BE- PËR KRIZËN E EMIGRANTËVE
Artikulli tjetërPASTROHEN MBETURINAT NË RRUGËN E KALASË