Bylis-Tirana ishte një sfidë që trazoi të gjithë sezonin e Tiranës, një humbje e turpshme që vijon të mbaj në ankth tifozët bardheblu. Disfata pati një efekt domino edhe në kampionat, u pasua me humbjen përballë Kukësit dhe me një sfidë pa shumë shkëlqim në derbi, ku shpëtuan vetëm në shtesë. Ajo humbje me përmbysje bëri aq shumë bujë sa Federata Shqiptare e futbollit nisi një hetim zyrtarë. Në zyrat e FSHF-ës ka mbërritur raporti i kërkuar nga kjo e fundit në lidhje me luhatjet e koeficienteve, një situatë e pa qartë dhe dyshuese që shton dhe më shumë presion tek bardheblutë. Pas përfaqësueseve të Bylis, gjyqtarëve të takimit dhe administratorit të Vllaznisë, Suad Lici, këtë të martë ishte radha e përfaqësueseve të Tiranës të dëshmonin përballë Komisionit të Etikës. Presidenti Halili, drejtori Sportiv Arbi Laçi, trajneri Egbo, kapiteni Karabeci dhe portieri Ilion Lika kanë dhënë versionin e tyre përballë Etikës për atë që ndodhi në Ballsh. Pavarësisht dyshimeve dhe situatës së krijuar presidenti Halili shprehet i bindur se klubi i tij është i pastër:

“Shiko, u paraqita në Komision. Çfarë kisha për të thënë, i thashë të gjitha. Do të sjell një deklaratë me shkrim të të gjitha gjërave që kam thënë. Pyesni Komisionin.

Absolutisht, jo nuk pres dënim për Tiranën.

Unë nuk e di se çfarë do të bëjë UEFA. 80% e shqiptarëve i shikojnë ndeshjet që fiksohen nga bastet dhe e kuptojnë. Nëse ka ndonjë dyshim që është përfshirë klubi i Tiranës, në këtë gjë, nuk më krijon asnjë problem, le të veprojnë.

Unë flas për veten time, për stafin, për klubin. Nëse ka ndonjë individ të përfshirë, nuk mund ta gjej dot.

Ëshëte pjesë e lojës, janë rregullat e Federatës. Nëse më duhet të thirrem për diçka, jam i detyruar të paraqitem. Federata bëri mirë që thirri. Për mua dhe ne që merremi me sport, kur federata shikon ndonjë shkelje dhe duhet të marrë masa, bën mirë. Nuk e çuan dot deri në fund ashtu si donin. Nuk ndodhi ashtu si dëshironin ata.

Klubi jonë nuk është i përfshirë, kemi bërë një kampionat model. Kemi sakrifikuar të gjithë, kemi kryer shpenzime. Kemi qenë ndoshta klubi më i rregullt, i kampionatit. Do të respektojmë garën deri në fund. Besoj se Komisioni ka njerëz aq të zotë që nëse shikon shkelje të veprojë. Unë kam thënë në daljet e mia që ‘mund’. Nuk jam njeri pa gjak, mbase jam i rrëmbyer. Nuk pranoj të më cënojë njeri kur jam i bardhë. Se sa jam i bardhë e di Allahu”, përfundoi Halili.