Dritëro Agolli boton libër të ri me poezi për 85-vjetorin e lindjes

 

Shkrimtari Dritëro Agolli në 85-vjetorin e lindjes së tij do të na surprizojë me botimin e një libri të ri me poezi. “Prit edhe pak” titullohet libri, kopjen e parë të së cilit autori e ka marrë në dorë nga e bija Elona Agolli. Ajo rrëfen se për botimin e këtij libri, shpesh u është dashur të përdorin edhe një lupë për të zbuluar shkronjat e zverdhura nga koha. Vajza e Dritëro Agollit, rrëfen lumturinë dhe gëzimin e papërshkruar të Dritëro Agollit për daljen në dritë të librit të tij të ri, kur ajo i dorëzoi kopjen parë. Ndërsa libri “Prit edhe pak” pritet të hidhet në treg në ditën e lindjes së shkrimtarit, më 13 tetor, Elona ka postuar në statusin e saj në facebook disa çaste emocionuese, kur Agolli merr librin në dorë: Më tha vetë: “Hajde të puth në ballë. Më gëzove që më solle librin e parë të dalë nga shtypshkronja sot”, shkruan ajo. Poezitë kanë qenë në dorëshkrim dhe botohen për herë të parë, dhe shumë prej tyre janë poezi dashurie, pohon vajza e shkrimtarit. Ja disa vargje nga libri i ri, të shkruara nga Dritero Agolli në moshën e rinisë për dashurinë: “Dashuria fillimisht është e turbullt. Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë Dhe agimi kur vjen është i mugët, Sendet s’kanë as formë e as trajtë. Dita zbret dhe gjërat dalin të plota: Forma, trajta, konture e vija, Dalëngadalë e tillë vjen bota, Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.” Ky vëllim voluminoz me poezi të panjohura do të jetë edhe surpriza e ditës së mërkurë, paraditen e 13 tetorit, ku do të mbahet një konferencë jubilare me rastin e 85- vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.

Artikulli paraprakNDRYSHIMET NE KODIN RRUGOR,CELULARI TE HEQ PATENTEN
Artikulli tjetërSULMET AJRORE NE SIRI,SHTOHEN VIKTIMAT E PAFAJSHME