Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur me kushte ftesës së kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në një tryezë politike për Reformën e re Zgjedhore.

Lideri demokrat u shpreh në një deklaratë për mediat nga selia blu se më parë duhet të zgjidhim krizën politike. Një tjetër kusht për shumicën ishte edhe emri i Damian Gjiknurit, që sipas Bashës nuk mund të jetë bashkëkryetar i komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi ka dalë në përgjime te dosjes 184 të zgjedhjeve lokale të Dibrës.

“Sot prioritet është zgjidhja e krizës, politike. Zgjidhja e krizës është prioritet absolut i Shqipërisë, i PD-së dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë nuk e ka shkaktuar kodi zgjedhor, kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë. Kushtetuta dhe ligjet nuk janë përgjegjëse as për Valdrin Pjetrin, Mark Babanin dhe Agim Kajmakun.

Raporti i OSBE-së është i qartë, hapet me fjalinë që korniza ligjore është e plotë por mund vullneti politik. Prandaj zgjidhja e krizës dhe integrimi, zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes vullnetit politik.

Nuk mund të fshihemi pas letrave dhe kërkesave të pa sinqerta dhe provokimeve të rënda, ftesës nga një individ, i dyshuar kryesor për dosjen 184. Nëse ideja për Kodin Zgjedhor përfshin Gjiknurin, të ftojnë Avdylajt, Shullazin, Ymer Lalën dhe të tjerë se kjo është një tallje.

Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme, opozita ka dy vite që ka përgatitur një platformë, duhet të përfshirë transformim të thellë politik, ta çojë vendimmarrjen te qytetarët, këtu kam hapat e forcimit të demokracisë përfaqësuese dhe të forcojmë mekanizmat që jo një njeri i vetëm të kapë të gjitha institucionet.

Opozita po përgatit platformën e saj, do të bëjë publike dhe do ta diskutojë. Po jemi të vendosur, reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj, por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letra të hapura dhe përfshirja e individë të përfshirë në dosjen 184. Hapi i parë duhet të jetë pranimi i situatës në vend, i paligjshmërisë ku e ka futur vendin kryeministri. Kjo mund të shtrojë bazën për daljen nga kriza, ndarjen e krimit nga politika. Një reformë e plotë zgjedhore bashkë me një reformë politike” deklaroi ai.

Lideri demokrat ishte i ashpër edhe për prezencën e OSBE-së në Tiranë, që sipas tij ka heshtur deri tani për situatën. “Ne u kemi dhënë një përgjigje ndërkombëtarëve. Nuk jemi ne pengesa për një proces transparent, parimor dhe gjithëpërfshirës për zgjidhjen e krizës, po Edi Rama që nuk mund të fshihet pas letrave publike, që con pas Damian Gjiknurit. Sa i përket OSBE-së në Tiranë, pres që të shprehet për raportin e OSBE-së, tre kryebashkiakët me rekorde kriminale dhe shkeljet e rënda të Kushtetutës. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga OSBE-ja, por kjo është dicka përtej mandatit dhe gjykimit tim” tha ai.

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama i bëri një thirrje liderit të Partisë Demokratike, kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe aleatëve në atë që e kanë quajtur “opozita e bashkuar”, që paçka ndasive dhe kundërshtive në aspektin politik të asaj çka përfaqësojnë, të bëhen bashkë për të gjetur hapësirat e një dialogu për të miratuar reformën zgjedhore.

Për kreun e qeverisë, edhe pse jashtë parlamentit, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, opozita është votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është edhe arsyeja që Rama thekson pse “Kuvendi ja ka rezervuar një vend të posaçëm në Komisionin për Reformën zgjedhore”, një proces që ka nisur me opozitën parlamentare.

Artikulli paraprakCDU/CSU: NËNTË KUSHTE PËR SHQIPËRINË
Artikulli tjetërSHERR NË LOKAL NË ORËT E PARA TË MËNGJESIT, QËLLOHET ME ARMË VËLLAI I KRYEBASHKIAKUT