Një vit më parë, 22-vjeçari Younes Abouyaaqoub drejtoi furgonin e marrë me qira drejt këmbësorëve në “Las Ramblas”, në zemër të Barcelonës, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e 131 të tjerëve, nga 34 kombësi të ndryshme. Sulmi terrorist tronditi qytetin, por pavarësisht kësaj, jeta vazhdon!

 

“Mendoj se prova më e pakundërshtueshme e aftësisë së qytetit për t’u përballur me këtë ishte përgjigjja e qytetarëve të tij kur mijëra njerëz u mblodhën ditën tjetër nën brohorimat ‘No tinc por’ (Nuk frikësohem!”, tha kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau për “The Guardian”. “Ajo tregoi se njerëzit kishin besim në këtë qytet dhe përcolli mesazhin se, ata nuk do t’i lejonin terroristët që t’u ndryshonin mënyrën e jetesës”.

 

Colau gjendej jashtë qytetit, lehonë, kur ndodhi sulmi, por kujton heshtjen e thellë që kishte kapluar qytetin kur u rikthye, aq sa koha dukej se shkonte shumë ngadalë teksa shpalosej pafundësia e asaj çfarë ndodhi.

 

“E dinim se ekzistonte si mundësi. Kemi parë sulme në Paris, Londër, Berlin dhe në ndonjë vend tjetër, – thotë ajo. – Ishim të ndërgjegjshëm ndaj faktit se Barcelona, si një qytet ndërkombëtar, mund të bëhej shënjestër. Mendoj se ishim gjithsesi të përgatitur dhe përgjigjja e policisë dhe shërbimeve të emergjencave e tregoi më së miri këtë. Të gjithë e dinin se çfarë duhet të bënin. Por, sigurisht, pas ngjarjes rishikuam të gjitha protokollet tona, për të parë se ç’mund të përmirësohej”.

 

Colau shtoi se, ishte e vështirë të kuptohej e gjithë rrjedha e ngjarjeve, kjo edhe për shkak të thashethemeve dhe konfuzionit. Fillimisht pati informacione mbi të shtëna pranë Las Ramblas; se terroristët ishin mbyllur në një restorant turk; se disa njerëz ishin marrë peng në një dyqan; apo se policia kishte qëlluar dikë në një pikë kontrolli në veri të qytetit. Asnjëra prej këtyre nuk rezultoi e vërtetë.

 

Nëntë orë pas sulmit të Las Ramblas, 5 persona drejtuar një makinë ndaj këmbësorëve në Cambrils, 120 km në jug të Barcelonës, duke lënë të vdekur një grua dhe duke plagosur 6 të tjerë. Të pestë ata u qëlluan për vdekje nga policia.

 

Abouyaaqoub ia mbathi mes situatës së panikut e konfuzionit. Ai ishte ende në arrati, aq sa arriti të përshkonte në këmbë rrugën drejt veriut të Barcelonës, ku qëlloi me thikë për vdekje Pau Perez Villan, me synimin për t’i rrëmbyer makinën. Pas kësaj, 22-vjeçari tejkaloi një barrikadë policie dhe u arratis sërish në këmbë. Më 21 gusht, ai u qëllua për vdekje nga policia në një pikë karburanti, 40 km në jug të Barcelonës.

 

Nga ai çast, policia e lidhi shpërthimin në Alcanar, në jug të Katalonjës një ditë më herët, pikërisht me këtë celulë terroriste. Ishte pikërisht një shpërthim në fabrikën e tyre të bombave, ai që vrau Abdelbaki Es Satty, kreun organizator të grupit. Es Satty ishte imam në Ripoll, një qytezë e vogël në veri të Katalonjës, ku ishin rritur shumica e agresorëve.

 

“Është thuajse e pamundur që të jemi të sigurtë përballë këtij lloji të terrorizmit global, të organizuar në celula e që përdorin eksplozivë të prodhuar me mjete rrethanore, – thotë më tej Ada Colau. – Në rastin konkret, ata ndryshuan planet e tyre në momentin e fundit, pasi tashmë e dimë se ata kishin planifikuar të sulmonin ikonën e kryeqendrës katalanase, Sagrada Familia”.

 

Katër të mbijetuarit e celulës, të cilët janë në burg tashmë, kanë konfirmuar se plani ishte që të sulmohej tempulli i Sagrada Familias, ndërtesa më e famshme në Barcelonë, me një mjet të ngarkuar me bomba, por shpërthimi në Alcanar i kishte detyruar të ndryshonin planet në minutën e fundit.

 

“Ata goditën në zemrën e qytetit, në shëtitoren Las Ramblas, pjesa më e dashur dhe më e njohur ndërkombëtarisht e qytetit, e cila është edhe pika kryesore që mirëpret turistët e huaj, – shprehet kryebashkiakja. – Por, ai sulm e bëri qytetin edhe më të fortë, edhe më të vendosur. Madje na bëri neve të biem në dashuri sërish me Las Ramblas, një shëtitore që është tejmbushur gjithnjë e më shumë nga turistët. Edhe pas sulmit, njerëzit vijojnë të shkojnë atje”.

 

Hapat e parë që ndërmori qyteti ishte shmangia e “përplasjeve” apo “irritimit” ndaj komunitetit mysliman. Por, kur Mbreti spanjoll dhe kryeministri morën pjesë në një miting përkujtues pak ditë pas sulmeve, ata u vërshëllyen nga një grup i madh mbështetësish të pavarësisë së Katalonjës. Ada Colau tha se shpreson që kjo të mos përsëritet në homazhet e së shtunës për viktimat, aty ku sërish Mbreti dhe kryeministri (tashmë socialisti Pedro Sanchez dhe jo Mariano Rajoy) do të jenë sërish pjesëmarrës.

 

“Ka një pafundësi ditësh gjatë vitit, kur ata që duan të protestojnë kundër monarkisë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por si kryebashkiake, besoj se 17 gushti është dita përkujtimore e viktimave, – tha ajo. – Për ta ka shumë dhimbje, e nuk besoj se duan që njerëzit të përpiqen të politizojnë një akt solidariteti. Ndaj u kërkoj njerëzve të shfaqin respekt për atë që do të jetë një homazh për të vdekurit”.