Banorët e lagjes Kiras ne Shkodër vuajnë prej më shumë se 30 vitesh mungesën e infrastrukturës në këtë rrugë. Kjo rrugë, në zonën e pallateve të vjetra në lagjen Kiras nuk ka njohur ndërhyrje në përmirësimin e infrastrukturës.

Reshjet e borës të rëna prej ditësh, por tashmë edhe prezenca e reshjeve të shiut kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e banorëve në këtë zonë. Në këtë rrugë, bora vazhdon të mbetet ende e papastruar çka ka krijuar probleme të shumta në lëvizjen e këmbësorëve.

Në atë pjesë ku bora ka shkrirë, rruga është e mbuluar nga uji. Një situatë e tillë vazhdon të përsëritet sa herë bie shi.

Amortizimi i rrugëve është kthyer në problem të përditshëm për banorët e lagjes Kiras. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e rrugëve janë asfaltuar, sërish nevoja për të përmirësuar infrastrukturën është e domosdoshme.

Në kushte të tilla, jashtë kamerës disa banorë shprehen se ndërtimi i rrugës është detyrë e institucioneve përgjegjëse. Ato i kanë bërë disa herë kërkesa por deri tani, situata nuk ka marrë zgjidhje.