Kreu i Shtetit Ilir Meta ka përsëritur thirrjen e tij për dialog me qeverisë dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike.

Në konferencën me homologun slloven, Meta, i pyetur nga gazetarët tha se dialogu mazhoranca-opozitë duhet t’i paraprijë vendimit për hapjen e negociatave.

Meta: Jemi në kushtet e një krize politike kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur.

Në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kam apeluar për dialog mes palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por mbi të gjitha për ti paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që u paralajmërua qershorin e kaluar për mundësine e çeljes së negociatave në qershorin që po vjen.

Një ditë pas vendimit të qershorit, kam thënë se duhet të fillojmë punën menjëherë në dialog, qeveri dhe opozitë, sepse kam thënë siç iku një ditë mund të ikë edhe një vit dhe mund të mbetemi përsëri në vend.Meta sërish apeloi se palët duhet të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë.

Meta: Kështu që në vijim edhe të thirrjeve mia të mëparshme që palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për të rivendosur normalitetin politik, demokratik dhe institucional në vend. Kur ka vullnet dhe vihen në plan të parë interesi kombëtar, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençuara dhe zgjidhjes politike të kësaj situate.