Pastrim parash dhe mashtrim me bastet online, ndërsa fitimet llogariteshin në miliarda euro. Policia italiane ka shkatërruar një grup kriminal duke vënë në pranga 68 persona.

Mediat italiane raportojnë se hetimet janë shtrirë edhe në Shqipëri ku dyshohet se organizata kontrollon bastet online. Shuma e parave të sekuestruara nga policia në llogaritë bankare të bandës, arrin në 1 miliard euro, ndërsa sekuestro është vënë gjithashtu edhe mbi prona të tjera të grupit kriminal.

Antimafia vijon kontrollet për zbulimin e pasurive të tjera të kësaj bande.

Operacioni është shtrirë edhe në vende të tjera si Zvicra, Austria, Britania e Madhe, Luksemburgu. Në të gjitha këto vende mafiozët kishin hapur kompanitë e tyre për të qarkulluar para në mënyrë të jashtëligjshme dhe i investonin ato për të blerë prona jashtë vendit.

Sipas mediave italiane ky grup mafioz shmangte taksat, pastronte paratë dhe dominonte tregun e basteve online.

Organizata kriminale me bazë në Puglia, Katania e Calabri e kishte shtrirë aktivitetin e saj në 11 shtete të ndryshme si Shqipëri, Itali, Serbi, Austri, Spanjë, Maltë, Zvicër, Britani e Madhe, Vende të Ulëta, Kuracao, Isola di Man.

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për pjesëmarrje në organizim kriminal mafioz me aktivitet të paligjshëm në bastet sportive online, mashtrim në transferim parash, riciklim të paligjshëm të ardhurash, si dhe mashtrim tatimor.

Hetimet nga autoritetet italiane vijonin prej disa muajsh. Rreth 4.5 miliard euro janë luajtur në platforma të ndryshme online që menaxhoheshin nga anëtarët e organizatës. Paratë e fituara investoheshin më pas në prona të patundshme.