Jemi gati në mes të sezonit turistik, por task-forca e Durrësit për sezonit turistik nisi vetëm sot kontrollet për zbatimin e kritereve. Siguria dhe zbatimi hapësirave publike janë në fokus krahas ndotjes akustike.

Taks-forca për sezonin turistik në Durrës më në fund doli në terren.
Nisën verifikimet për kriteret e sigurinë, pastërtinë dhe respektimit të ndarjes së plazheve publike me ato private.

Në plazhin e madh të Durrësit, 6 hapësira do të jenë publike.
Për ti dalluar, punonjësit e Bashkisë vendosën edhe tabelat sinjalizuese.
Subjekteve private po u verifikohet edhe hapësira mes çadrave.

Të paktën katër parcela shezlongësh u larguan, ndërsa pronarët u paralajmëruan se nësë rikthehen do të bllokohen.

Zhurmat dhe moslejimi i shitësve ambulantë janë të tjera detyra të grupit të kontrollit.
Për pushuesit ndërhyrja e task-forcës është e vonuar.
Hapësira mes çadrave është ankesa kryesore.

“Çadrat janë shumë afër plazhit, duhet të ketë një hapësirë. Afër ujit është. Me ato që shesin rrugëve nuk jam i kënaqur.”

Aksioni ka nisur tek ura e Dajlanit dhe do të shtrihet deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili është pjesë e bashkisë Kavajë.

Për të qenë efektiv dhe për ti dhënë zgjidhje të gjitha problematikave të raportuara deri tani në plazhet e vendit, Taks-Forcat vendore për sigurinë përbëhen nga shumë institucione.