Një vendim tjetër i rëndësishëm, që ndryshon rregullat e deritanishme në fushën e ndërtesave, ka të bëjë me detyrimin e ndërtuesve që, në momentin e shitjes së një objekti ndërtimor, ta pajisin blerësin edhe me një kontratë sigurimi 10-vjeçare për dëme që mund të vijnë nga toka apo problematika e procesit ndërtimor.

Qeveria vendosi dje që ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat dhjetëvjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve. Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda.

Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.

Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Noterët lidhin kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori tek blerësi, shoqëruar me kontratën e sigurimit në favor të blerësit/blerësve të kryer nga shitësi. Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale.

Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimit miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas marrjes së mendimit nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ministria përgjegjëse për financat, theksohet në VKM.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.