Kryeministri Edi Rama foli për progres në disa aspekte nga negociatat e fundit për reformën në drejtësi, progres që ai tha se nuk ka kaluar vijën e kuqe të vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

“Me ndihmën e Euralius dhe Opdat, është realizuar një progres i mirë në disa aspekte dhe vija e kuqe e SHBA dhe BE ka rezultuar e pakapërcyer për të hequr nga projekti kushtetues operacionin ndërkombëtar të pastrimit të drejtësisë”, deklaroi Kryeministri në një dalje për mediat fill pas përfundimit të takimit mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. Ka vetëm një mënyrë për të arritur konsensusin, sipas Kryeministrit dhe shtoi se ndodhet në pritje për arritjen e tij deri në minutat e fundit. “Propozimi hibrid i Victoria Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin dhe e rikonfirmoj se deri në orën 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur buzëqeshjen reciproke mbi këtë propozim është e plotë’, u shpreh ai. Ai i kujtoi Partisë Demokratike se nuk mund të japë konsensus përtej kornizave të vendosura në draftin e reformës. “I bëj thirrje kreut të Partisë Demokratike që të sillet si lider. Ne i kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme dhe të mundshme”, deklaroi Rama. “Ne 140 deputetët jemi përballë një gjendjeje shumë të qartë; o të votojmë në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, o të votojmë që drejtësia të ruajë vazhdimin e pengmarrjes së vazhdueshme dhe të dhunshme”, tha ai. Dhe në këtë rast, Rama shprehu bindjen se maxhoranca në bllok zgjedh të parën. “Aleanca për Shqipërinë Europiane do të votojë në bllok për çlirimin e drejtësisë. O do të votojmë për t’u ulur mes vendeve të Perëndimit, ose do të votojmë kundër SHBA dhe BE. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të votojë për të parën. O do të votojmë me konsensus të gjithë së bashku për të ardhmen, ose të dalim mbrojtës të errësirës. Çdo karton i kuq është ndalim i vullnetit të popullit për t’u dhënë fund maskaradave në sallat e gjykatave tona”, u shpreh Kryeministri.

Artikulli paraprakMETA – BASHA : JEMI PRANE KOMPROMISIT
Artikulli tjetërAKSIDENT NË MURIQAN, HUMB JETËN NJË PERSON E NJË FËMIJË NË GJËNDJE KRITIKE PËR JETËN