Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se kërkesat e studentëve po adresohen dhe Partia Socialiste po reflekton seriozisht për të nxjerrë mësimet e duhura nga shuplaka e tyre për qeverinë.

Në statusin e tij në Twitter, Rama nuk ka lënë pa “thumbuar” edhe kundërshtarët politikë duke shkruar se ishin shumë të agjituar u iku dhjetori pa revolucion.

“I shoh kadrinjtë të agjituar shumë që mirë u iku dhjetori pa revolucion, po kërkesat e studentëve mesa duket po adresohen dhe Partia Socialiste po reflekton seriozisht për të nxjerrë mësimet e duhura nga shuplaka e tyre për qeverinë. Eh o kadrinj sa stinë si kjo do kaloni akoma,”-shkruan Rama.

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama në një pronocim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS (e cila zgjati prej rreth pesë orësh) tha se u diskutua edhe lidhur me protestën e studentëve.

Vetë studentët vendosën të pezullojnë protestën, për ta rinisur atë më 5 janar, në rast se nuk do të ketë dakordësi për plotësimin e 8 kërkesave të studentëve.

Qeveria ka publikuar “Paktin për Universitetin”, një platformë e cila synon t’i japë zgjidhje problemeve që ka aktualisht arsimi i Lartë në Shqipëri.