Real Madrid shkruan historinë me rekordin e vendosur në “Millenium Stadium” të Cardiff-it, pasi fiton për të dytin vit radhazi trofeun e Champions League, dhe të 12-in në të gjithë historinë e klubit.

Madrilenët dominuan plotësisht finalen përballë Juventus, me gola të Cristiano Ronaldos i cili shënoi dopietë në këtë takim, Casemiros realizoi golin e epërsisë 2:1. Pavarësisht se të besuarit e Allegrit ishin më kërkues në minutat e para të sfidës, goli i avantazhit u shënua nga djemtë e Zidane me anë të Ronaldos në minutën e 20, pas një kombinimi në zonë me Carvajal.

Por Juventus reagon shpejt dhe barazon shifrat me një supergol të Madzukiç në të 27’. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, ndërkohë që 45 minutat e dyta të ndeshjes flasin për “galaktikët”. Casemiro gjuan fort nga distanca në të 61’, duke mos i lënë asnjë mundësi Buffon për të devijuar atë top.

Stadiumi shpërthen në festë dhe ata që festojnë janë spanjollët. Goli i tretë dhe i sigurisë për ekipin e Zidane vjen në të 63’ me Ronaldon i cili devijon saktë në rrjetë një top të krosuar nga Modriç. 3:1 dhe festa është e gjitha për kampionët në fuqi.

Goli i katërt për Realin vjen në minutën e ’90 kur Asensio mposhti sërish Buffon, falë edhe epërsisë numerike pas Cuadrado u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 84. Pas kësaj fitoreje, Real Madrid nënshkruan historinë e Champions League, duke ngritur për të dytin radhazi trofeun më të rëndësishëm futbollistik për klube dhe të e 12-in në historinë e klubit spanjoll.

Ndërsa nga ana tjetër, Juventus nuk ia del sërish dhe firmos rekordin e zi të finaleve të humbura në Champions League, duke llogaritur plot 8 të tilla, kundrejt dy të fituara. Kapiteni Sergio Ramos ngriti në qiell trofeun e 12-të për Los Blancos ndërsa lot pati tek juventinët që finalet tashmë i kanë makthin e tyre.

Artikulli paraprakRAMA PËRURON PARKUN OLIMPIK TË TIRANËS
Artikulli tjetërAKSIDENT NË AKSIN SHKODËR – VELIPOJË