Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur ne qytetin Shkoder në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth ores 05:00. Tritoli i është vendosur makinës së shefit të financës në policinë kufitare, Admir Lishi 40 vjeç.

Makina që u shpërthye me eksploziv është tip ‘Benz’ me targa AA655MK, ndërsa tritoli ishte vendosur në pjesën e prapme.

Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, pasi makina ishte e parkuar poshtë banesës në lagjen ‘Perash’. Pas njoftimit, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.

Shefi i financës së policisë kufitare është marrë në pyetje për konfliktet që mund të ketë pasur kohët e fundit.

Ai ka mohuar që të ketë pasur konflikte, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që autorët të kenë gabuar në shënjestër.

Ndërsa për të shkuar në gjurmët e autorëve janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë nga bizneset pranë vendit të ngjarjes.

Ende nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me detyrën, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen. Ngjarja e sotme rikthehen edhe njëherë frikën nga shpërthimet me eksploziv në Shkodër.