PREJ DEKADASH, 28-29 NËNTORI MBAJNË PEZULL NJË DATË VENDIMI. Ka më shumë se dy dekada që diskutohet data e çlirimit të Shqipërisë, një diskutim krejt i panevojshëm, pasi ajo dihej nga shqiptarët dhe qe kremtuar për vite të tëra në këtë vend; ajo nuk kishte mbetur që të saktësohej e të mësohej pas gjysmë shekulli nga përfundimi i Luftës.

Ndryshimi qe iu bë datës së çlirimit në vitin 1993, me një vendim politik parlamenti, ishte një veprim i padenjë, një precedent i pa njohur në historinë tonë dhe te vendeve të qytetëruara, si i tillë ai u prit me mosaprovim e shqetësim në opinionin publik. Çlirimi i Shkodrës, qytetit të fundit që mbahej nën kontrollin e forcave gjermane, ka qenë padyshim ndër aktet e mëdha historike, ndër arritjet më të shënuara të Luftës . Nganjëherë në shtyp, kur bëhet fjalë për këtë ngjarje, përdoret një formulim i thjeshtë, që të  duket sikur e thjeshtëzon problemin, thjeshtëzon ngjarjen: “ikën gjermanët dhe në qytet hynë partizanët”. Po, përse ikën? Dhe s`i ikën gjermanët? Kjo ka rëndësi të shpjegohet. Vërtetë, Gjermania ishte drejt kapitullimit, për rrjedhojë dhe qëndrimi këtu i trupave te saj i kishte ditët e numëruara, por komanda gjermane dhe repartet e saj, që arrinin në rreth katër mijë trupa, ende nuk qenë ndërgjegjësuar, ende nuk ishin të gatshëm të lëshonin qytetin dhe vendin.
Për këtë arsye, Shkodra dhe rrethinat, sidomos në javën e fundit të qëndrimit të trupave gjermane do përjetonin një situatë nga më të rëndat, por dhe më heroiket, në të gjithë vitet e Luftës. Aty qenë grumbulluar repartet naziste të korpusit 21, që në bazë të urdhrit të Komandës së Vermahtit duhet të mbanin të pushtuar medoemos qytetin, deri sa të largohej edhe ushtari i fundit gjerman. Në Shkodër qe grumbulluar gjithashtu thuajse i tërë reaksioni shqiptar, që, me ndihmën e gjermanëve, do të përpiqej të largohej nga vendi për t`i shpëtuar goditjes së forcave partizane. Nga ana tjetër, Komanda e Përgjithshme dhe Shtabi i Përgjithshëm urdhëruan repartet partizane që çliruan Kukësin, Pukën e Lezhën, që të lëviznin me shpejtësi drejt Shkodrës dhe t`u bashkoheshin forcave që zhvillonin luftime aty. Me qëllim që të pengonin e te vështirësonin hyrjen e forcave partizane në qytet, natën e 28-29 nëntorit gjermanët hodhën në erë Urën e Bahçallëkut dhe Urën e Bunës, e krahas kësaj bënë dhe minimin e qytetit, për ta hedhur atë në erë. Fatmirësisht, ky plan kriminal dështoi në saj të ndërhyrjes së shpejtë e të guximshme të dy ushtareve italiane që kishin asistuar gjatë minimit, të cilët arritën të këputnin fijet ndezëse, të bëjnë çminimin dhe të evitojnë një katastrofë të vërtetë për Shkodrën, veprim ky që u kushtoi atyre jetën. Ndërkohë, me gjithë pengesat e vështirësitë forcat partizane kishin filluar të hynin në periferi të qytetit, duke ngushtuar darën e rrethimit të trupave gjermane.
Në një situatë të tillë, kritike e të pa shpresë, Komanda Gjermane mori vendim që repartet naziste te largoheshin nga Shkodra, pa zbardhur ende dita, me qëllim që të shpëtohet çfarë mund të shpëtohej dhe largimi të bëhej me sa me pak dëme. Në këtë mënyrë, pasi terrorizuan qytetin dhe vranë disa qytetarë të Shkodrës, që po ndiqnin largimin e trupave naziste, në orën 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944, pa zbardhë ende dita, repartet naziste lënë Shkodrën dhe nisin udhëtimin në rrugën Shkodër-Koplik-Hani Hotit, për të dalë në Malin e Zi. Sipas shënimit të bërë në ditarin e luftës të komandës gjermane, në orën 11.00 trupat naziste mbërrijnë në Koplik.
Zhvillimet e kësaj dite i ndiqte, në mënyrën e vet, për interesat e tij dhe reaksioni i grumbulluar në Shkodër. Po të manipulohej me këtë fakt, ai do të reagonte në ato çaste, në ato ditë apo dhe më pas, qoftë dhe kur u ndërrua sistemi e u hap diskutimi mbi këtë çështje. Por, është fakt që një reagim e një përgënjeshtrim të tillë prej tyre nuk pati kurrë, as atëherë dhe as sot.

 

 

 

[iframe width=”300″ height=”360″ src=”//www.youtube.com/embed/7a_Fb038cvs?feature=player_detailpage” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE