Një banesë dy-katëshe, në pronësi të shtetasit Shkëlqim Hasa në Lagjen “Tejlum”, fshati Xibër – Hane, Njësia Administrative Xibër në Bashkinë Klos u përfshi nga flakët mesditën e kësaj të premteje.

Banorët e zonës kanë shkuar menjëherë në ndihmë të familjes Hasa por për shkak të erës së fortë e gjithë banesa është shkrumbuar brenda një kohe të shkurtër duke mos pasur mundësinë të shpëtojnë asgjë prej saj.

Fatmirësisht nga zjarri kanë shpëtuar të 6 anëtarët e familjes. Bashkia Klos nuk ka mjet zjarrfikës, ndërsa mjeti i bashkisë Mat, gjatë kësaj kohe ka qenë në një tjetër ngjarje në fshatin Burgajet të njësisë Lis, duke e pasur të pamundur të udhëtojë drejt Xibrit.

Drejt Xibrit kanë shkuar ekspertët për të zbuluar shkaqet e vërteta të zjarri ndërsa emergjencat civile në bashkinë Klos kanë nisur punën për hartimin e dokumentacionit me dëmet e shkaktuara.

Familja Hasa prej 6 antarësh ka mbetur totalisht në qiell të hapur, ndërsa nuk dihet ku mund t’i sigurohet një strehim i përkohshëm.