Sot në orën 17:00 të pasdites do të nisë sesioni i ri parlamentar. Sot pritet që kryeministri Edi Rama të dekretohet edhe në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme në vendin e Ditmir Bushatit.

Gjithashtu sot do të zëvendësohen edhe vendet që lanë bosh në komisione ministrat e rinj të kabinetit qeveritar. Vendin e Erjon Braçes në postin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave do ta zërë Arben Ahmetaj.

Peleshi pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në vend të Eduard Shalsit. Bledi Çuçi pritet që të zëvendësohet nga Blerina Gjylameti në pozicionin e bashkëkryetarit të Reformës Zgjedhore,

ndërkohë që si nënkryetar i Komisionit të Integrimit dy janë emrat më të mundshëm; ish-ministri Bushati dhe deputeti Ervin Bushati.

Ministrja e re e Marrëdhënies me Parlamentin Elisa Spiropali ka lënë bosh karrigen e nënkryetares së Komisionit të Shëndetësisë. PS pritet të propozojë në këtë pozicion deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu.

Në seancën e sotme do të miratohet edhe kalendari. E ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i opozitës për seancën, nëse do të jetë në parlament debati është i pashmangshëm aq më tepër se seanca e sotme përkon me datën 21 janar,

8 vite nga protesta ku u vranë 4 njerëz të pafajshëm në bulevard para Kryeministrisë.