Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në rendin e ditës janë disa pika, mes tyre edhe dekretet e Presidentit për noterinë dhe kadastrën.

Megjithatë, pavarësisht rendit të ditës debati mes shumicës dhe opozitës pritet që të përqendrohet te ngjarjet e fundit dhe protesta që PD dhe LSI-ja kanë thirrur në 16 shkurt para Kryeministrisë.

Rendi i ditës
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për efiçencën e energjisë”
Marrëveshja me BE-në mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit
Dekret i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”
Dekret i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”
Emërimi i anëtarit të bordit të AMF-së që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv
Projektvendim “Për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi policinë se fshehu rastin e përdhunimit të nxënëses në Kavajë. Ai tha se SHISH kishte njoftuar kryeministrin dhe ministrat, por ata e fshehën si në rastin e djalit të deputetit socialist Rraja. “Sot kemi para jush shumicën e përdhunuesve.

Policia u njoftua, por ishte në anën e përdhunuesve dhe fshehu krimin, SHISH njoftoi, kryeministrin dhe ministrat. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve, vasalët heshtën, fshehën krimin. Këta përdhunues bënë atë që bënë me djalin e deputetit të tyre, të njëjtin skenar.

Çfarë morali kanë dalë që të dalin para jush para qytetarë, është dita juaj pra, nëse nuk ktheheni nuk do të keni kurrë fëmijët të sigurt në shkolla” tha Berisha.

Kryetari i PD-së dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj replikuan në seancën e sotme plenare, pas akuzave të Bashës për rastin e përdhunimit të 14-vjeçares në Kavajë.

“Mundohuni që gishtin tuaj të mos e tregoni kundër meje. Ju keni qenë në atë post që unë jam sot. Nuk mund ta nxini as Shqipërinë dhe as Ministrinë e Brendshme me këtë bojë të zezë.

Keni katër të vrarë në CV-në tuaj dhe shumë të plagosur nga struktura që ju keni drejtuar. Prandaj kur ta tregoni gishtin mendohuni mirë” tha Lleshaj.

Por, Basha reagoi duke deklaruar se “Pse i promovuat ata që ju thoni se shtinë mbi ata që sollët?

Je dy herë fatkeq, se kur unë plotësova mbi 100 kritere kundër krimit të organizuar dhe arrita që të plotësooj ëndrrën e lëvizjes së lirë, ju e kishit mendjen si të krijonit alibitë për Edi Ramën për vizat. Jeni delja e zezë e Europës, Kolumbia e Europës” tha Basha.

Lulzim Basha u shpreh nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria e ka marrë mesazhin nga Berlini që nuk do të ketë hapje negociatash. “Ky parlament nuk ka asnjë lidhje me hallet e qytetarëve,

prandaj ata ndihen të harruar. Nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër politike përveç se një qeverie tranzitore që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Berlin e morët mesazhin, në qershor nuk do të ketë hapje negociatash dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajduti” tha Basha.

Gjatë diskutimit të projektligjit për peshkimin, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se ky sektor është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa shtoi se vendi ndodhet në depresion. ‘Peshkatarët janë lënë në mëshirë të fatit. Vendi është në krizë totale.

Të gjitha ligjet që sjellin këta këtu, janë ligje të zhvatjes, këta që aktivitetin kryesor të ekonomisë kanë vjedhjen dhe pastrimin e parave të pista. Kriza ka arritur dimensione tragjike,

pa siguri totale në shkolla dhe pacipcisë me të cilën shprehet ministri i Brendshëm, apo si rasti i vetëflijimit në Shijak. Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm social ekonomik’ tha Basha.

Artikulli paraprakKUSH JANË 290 EMOJIT E REJA QË DO TË VIJNË KËTË VIT
Artikulli tjetërBERISHA-LLESHAJ REPLIKA PËR PËRDHUNIMIN NË KAVAJË