Televizorët që vendosen në mur nuk janë një gjë e panjohur, por vendosja e tyre nëpër ambiente të ndryshme të shtëpisë kërkon mund, gozhda e vrima në mur dhe asnjëherë nuk ka siguri që nuk do të bjerë. Por gjigandi i teknologjisë LG, e ka një zgjidhje. Një televizor fleksibël, të lehtë dhe të hollë, që vendoset në çdo ambient të shtëpisë me magnet.

“OLED TV” është 0.97 mm i hollë, ekran 55 inç dhe i lehtë sa një laptop, ndërsa mund të ngjitet në mur me anë të një platforme me magnet, njësoj si të ishit duke ngjitur zbukurime në frigorifer. Siç raporton “DailyMail”, LG e prezanoi këtë ekran në fillim të kësaj jave në Seoul. Kompania nuk dha detaje të tjera rreth këtij televizori, megjithatë ky prototip pritet të jetë e ardhmja e televizorëve. Sipas tabloidit britanik, LG tha se OLED do të jetë në fokusin e kompanis, megjithatë nuk dha një datë se kur mund të kthehet në një produkt real.