“Blerja e votës dhe presionet nga familjarët apo kushdo tjetër janë të papranueshme”.

Kështu u shpreh nga Shkodra ambasadorja e BE Romana Vlahutin gjatë një takimi me shoqërinë civile në zyrën e informimit të BE. “Çfarë do lloj transaksioni që mund të jetë për blerjen e votës apo çfarë do lloj abuzimi tjetër për zgjedhjet e 25 qershorit janë të papranueshme bashkë me presionet nga familjarët tuaj apo kushdo tjetër.

Zgjedhjet parlamentare janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me atë që ku duan ta shohin Shqipërinë njerëzit pas 4 vitesh. Kemi përparësi në monitorimin e lëvizjeve të parave nëse ka abuzime dhe po ashtu lëvizjet që bëhen në administratën publike. Jemi përpjekur që me të gjitha mundësitë e mundshme të krijojmë kushtet për të denoncuar abuzimet.

Në një shtet demokratik sovrani është populli dhe kjo është shumë e rëndësishme për ju por edhe për shtetin tuaj. Me rëndësi është edhe për në për të parë se sa demokratik është sistemi në Shqipëri dhe funksionimi i institucioneve ka rëndësi për integrimin e vendit tuaj në BE”. Ambasadorja e BE tha se qytetarët nuk duhet të ngatërrohen nga gjuha në publik e diplomatëve sepse Vlahutin u shpreh se ka të gjithë informacionin se çfarë po ndodh në Shqipëri.

“Mos u ngatërroni nga gjuha jonë. Kemi informacion të thellë për çfarë po ndodh në vend. Ndaj edhe kemi përparësitë për të cilat flasim. Janë të rëndësishme vërejtjet dhe qasjet tuaja. Jemi këtu për të asistuar Shqipërinë dhe ta ndihmojmë që të zhvillojë institucionet e veta në mënyrë që të jetë pjesë e BE.

Do ketë nga ana jonë një aplikacion për celularët ku çdo kush mund të çojë një foto apo informacion për çdo abuzim të mundshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet”. Gjatë takimit ambasadorja Vlahutin mori disa prej shqetësimeve të shoqërisë civile në Shkodër që nisin që nga shit-blerja e votës dhe deri tek diskriminimi i komuniteteve të ndryshme.