Merr një tjetër rrjedhë vrasja e makabre e çiftit shqiptar në lagjen Peristeri, të Athinës në Greqi, në 3 shkurt të vitit 2017.

Thanas dhe Eleni Curra u ekzekutuan me nga një plumb në kokë në banesën e tyre. Pasditen e së martës, gjykata greke ka dhënë dënimet për 4 të arrestuarit për ngjarjen. Ngjarja nuk lidhet me një grabitje të mundshme, siç u fol në fillim, por autorët kanë dashur t’i mbyllin gojën çiftit.

Hetimet kanë zbuluar se 53-vjeçari Thanas Curra kishte miqësi me një nga të dënuarit, L. H.. Ky i fundit së bashku me një tjetër shqiptar, Edmondi (ka dhe disa emra të tjerë) merreshin me grabitje dhe trafik droge.

L.H përdorte automjetin e punës të Thanasit për transport droge, deri sa ky i fundit e kuptoi. Disa ditë përpara se të vritej, 53-vjeçari foli me një efektiv policie. Kjo lëvizje u kuptua nga L.H dhe ai porositi vrasjen e çiftit, duke paguar 60 mijë euro.

Vrasësit, një shtetas shqiptar dhe një grek u futën në banesën e Thanas dhe Eleni Curra duke hapur derën me një çelës kopje. Ata i qëlluan me plumb në kokë burrë e grua, ndërsa djalin e tyre autik e plagosën me thikë.

Nga hetimet e prokurorisë, gjykata dënoi me 2 burgime të përjetshme L. H.. E njëjta masë dënimi u dha dhe për shqiptarin vrasës, i njohur me pseudonimin Kili. Ky i fundit dyshohet se qëlloi mbi Thanasin dhe Elenin.

Thoma Qirjaku, një shtetas grek që po ashtu morri pjesë në vrasje u dënua me 15 vite burg. Edhe drejtuesi i taksisë, që çoi vrasësit në shtëpinë e çiftit shqiptar dhe i priti pas ekzekutimit u dënua me 15 vite burg.

Ndërkohë një tjetër shqiptar, Edmondi është në kërkim për këtë vrasje të dyfishtë dhe autoritetet greke kanë dyshime të forta se ai fshihet në Shqipëri.