Kreu i PD, Lulzim Basha ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për çështjen ‘Xhisiela’, dosje që ka trazuar politikën shqiptare.

“Kur regjimet e korruptuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar shtetin e inkriminuar. Thirrja për t’u paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës”- tha Basha.

Basha është ftuar të paraqitet këtë të premte, në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë deklarime pasi është kallëzuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, për ‘kallëzim të rremë’ e ‘fyerje’.

Sipas Ballës, kryeopozitari në bashkëpunim me ish-nënkomisarin Emiljano Nuhu e gazetarin Basir Collaku, sajuan një skenar me qëllim dëmtimin e imazhit të tij. Kjo lidhet me denoncimin publik që ish-nënkomisari Nuhu,

bëri gjatë një interviste që realizoi me gazetarin Basir Collaku, ku pretendonte se është kërcënuar me armë në zyrën e tij të punës në stacionin e policisë së Fushë Krujës, në prani të deputetit socialist Balla.