Nga janari i 2016-ës policia rrugore synon të aplikojë një model të ri të ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve në rastet e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se në modelin e ri të policimit, do të shtohet termi “gjobë këshilluese” që parashikon të penalizojë me gjobë me vlerë 0 lek, një drejtues mjeti i cili rezulton ta këtë kryer shkeljen për herë të parë.

  E thënë ndryshe në rast se një drejtues mjeti do të ndalohet për mos vendosjen e rripit të sigurimit apo për parkim të gabuar dhe do të rezultojë se nuk e ka kryer më parë këtë shkelje, ai do të falet por ndalimi i tij do të shënohet në sistem.  Nga aplikimi i gjobës këshilluese përjashtohen shkeljet e rënda si shpejtësia tej normave të lejuara apo shkelja e semaforit me të kuqe, për të cilat drejtuesit e mjeteve do të penalizohen në bazë të kodit rrugor në fuqi. Për aplikimin e këtij modeli po punohet për rindërtimin e sistemit E-GJOBA ku do të regjistrohet edhe historiku i drejtuesve të mjeteve.  Po ashtu policia rrugore do të aplikojë edhe gjobat progresive kur në rastet e konstatimit të shkeljeve të përsëritura pas gjobës këshilluese, penalizimi do të jetë maksimal.  Gjithashtu 30 efektivë të policisë rrugore janë bërë pjesë e një projekti pilot duke u pajisur me kamera në trup të cilat do të kontrollohen në kohë reale në sallën operative të policisë.