Boksieri i Kombëtares së Shqipërisë, Adam Maca, nuk ka të ndalur në rrugën e tij drejt titullit kampion Europe për 18-vjeçarët. Sportistit me origjinë nga Mirdita, i ka mbetur tashmë edhe një ndeshje e vetme për ta siguruar medaljen e artë të këtij eventi të rëndësishëm. 16-vjeçari, i lindur dhe i rritur në Angli, ka fituar edhe ndeshjen gjysmëfinale ndaj boksierit rumun Mario Caprian Iofçiu dhe si rrjedhojë, ka siguruar daljen në finale, ku do të synojë tashmë edhe medaljen e artë. Katër muaj më parë, siç dihet, Adam Maca u shpall nën/kampion bote për 16-vjeçarët, ndërsa deri tani ka siguruar titullin nën/kampion Europe për 18-vjeçarët, teksa padyshim që ai synon titullin kampion i kontinentit.
Në turin e parë, Maca ka qenë me fat, duke u kualifikuar direkt në të dytin, aty ku triumfoi ndaj kroatit Bruno Bobaç, ndërsa në çerekfinale arriti të fitonte ndaj bullgarit Kostantin Yordanov Kostov, ku hyri edhe në zonën e medaljeve. Ai nuk u ndal këtu, sepse me fitoren e fundit ndaj boksierit rumun siguroi finalen, ku sigurisht që do të kërkojë sërish fitoren edhe ndaj kundërshtarit nga Ukraina.