Boksi shqiptar ka siguruar një tjetër medalje të rëndësishme europiane. Atë e ka arritur boksieri me origjinë nga Mirdita, Adam Maca, i cili në kampionatin europian U-18 që po zhvillohet në Kroaci, ka arritur të sigurojë deri më tani medaljen e bronzit. Gjithçka u vulos në ndeshjen që kishte përballë bullgarit Kostantin Yordanov Kostov, i cili ishte kampion Europe në fuqi për këtë peshë, por Maca ia ka dalë të triumfojë ndaj tij, falë një boksimi të shkëlqyer që ka zhvilluar. Gjyqtaria në fund nuk ka patur dyshime dhe si rrjedhojë, Adam Maca është shpallur fitues. Kjo ishte e dyta rradhazi për të, sepse në turin e dytë kishte triumfuar ndaj kroatit Bruno Bobaç.

Ndërkohë që, turin e parë e kishte kaluar me short. Në këtë mënyrë, 16-vjeçari ka shkuar në gjysmëfinalen e peshës 57-kg të këtij Europiani, duke siguruar medaljen e bronzit. Megjithatë, ai vazhdon garën për të siguruar edhe të artën apo të argjendtën e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm, pasi synimet e Macës janë të shkojë sa më lart që të jetë e mundur.

Sportisti 16-vjeçar që është lindur dhe rritur në Angli, prej dy vitesh i është bashkuar Kombëtares së Shqipërisë, teksa nën drejtimin e trajnerit shkodran Klaudio Çekini, po rregjistron rezultate shumë të larta në arenën ndërkombëtare, ku ndër të tjera dhjetorin e vitit të kaluar u shpall edhe nën/kampion bote për 16-vjeçarët.

Artikulli paraprakVLLAZNIA-LAÇI, OSMANI: BESOJ TE FITORJA
Artikulli tjetërKE VENDOSUR TË ÇLIROSH SHPIRTIN… HOROSKOPI PËR DITËN E SOTME