Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield, në takime të ndara me krerët e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që ta zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve. Në Nju Jork, më 26 prill, një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb.

Ajo theksoi “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin” që arritën, sipas deklaratës nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans.Gjithashtu shtohet se ambasadorja amerikane dhe shefi i diplomacisë serbe kanë biseduar edhe për rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes SHBA-së dhe Serbisë. Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq, gjatë bisedës me ambasadoren amerikane ka theksuar se Serbia do të mbajë qëndrim konstruktiv sa i përket propozimit evropian dhe zbatimit të planit të veprimit për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Prishtinën.Përsëri, megjithatë, ka vija të kuqe për Serbinë nga të cilat ajo nuk do të heqë dorë. Ai, po ashtu, ka theksuar se për Serbinë puna e UNMIK-ut në kapacitetin e tij të plotë është e një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme në Kosovë. Shefi i diplomacisë serbe tha, gjithashtu, se shpreson që vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, në Serbi të realizohet në periudhën e ardhshme. Paraprakisht, më 25 prill, në një bisedë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield bëri thirrje për zbatimin urgjent të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim, thuhet në deklaratën e zëdhënësit e misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans.Është bërë e ditur se ambasadorja amerikane dhe ministrja kosovar kanë biseduar për “partneritetin afatgjatë mes SHBA-së dhe Kosovës”.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit, rolin e OKB-së në Kosovë dhe për forcimin e mëtejmë të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së. Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur dhe të qëndrueshme nga partnerët tanë amerikanë”, shkroi në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës lidhur me takimin e kryedipomates kosovare me ambasadoren amerikane.

Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së. Këto përpjekje rezultuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Artikulli paraprakKANDIDATI I PS PËR BASHKINË SHKODËR BENET BECI, FLET PËR PLANET E TIJ SI KRYETAR BASHKIE
Artikulli tjetërKANDIDATI I KOALICIONIT “BASHKË FITOJMË” BARDH SPAHIA TAKIM ME BIZNESE E QYTETARË TË RAJONIT NUMËR 2