Edhe pse ne nuk e dimë ende se kur – dhe më e rëndësishmja si – do të përfundojë lufta e nisur nga Vladimir Putin në Ukrainë, është tashmë e qartë se konflikti do ta transformojë Bashkimin Evropian në mënyrë dramatike. BE-ja ishte në thelb përgjigja e Evropës Perëndimore ndaj dhunës së jashtëzakonshme të dy luftërave botërore, të cilat ishin në vetvete produkte të industrializimit dhe nacionalizmit që nga shekulli XIX e në vazhdim. Këto procese historike çuan në shkatërrimin e plotë të rendit tradicional evropian. Pas Luftës së Dytë Botërore, kontinenti evropian u dominua nga dy fuqi joevropiane: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Për shkak se interesat materiale dhe ideologjike të këtyre dy fuqive ishin të pamundura për t’u pajtuar më njëra-tjetra, ajo që pasoi ishte një garë e armëve bërthamore që zgjati për dekada në atë që u quajt Lufta e Ftohtë.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Evropës Perëndimore ishte e rrënuar, ndërsa kontinenti ishte i pambrojtur në aspektin ushtarak kundër një pushtimi sovjetik. Pa Planin Marshall të SHBA-së dhe pa garancinë e Amerikës për mbrojtjen ushtarake, Evropa Perëndimore vështirë se do të kishte mundur të mbijetonte. Themelimi i NATO-s në vitin 1949, bëri që pjesa perëndimore e kontinentit të mbetej e sigurt, si nga sulmet sovjetike ashtu edhe nga një Gjermani që po ri–ngrihej, megjithëse e ndarë. Më pas ai pakt i dha hov idesë se një rend i qëndrueshëm në Evropën Perëndimore mund të arrihej përmes integrimit ekonomik brenda një tregu të përbashkët, institucioneve kolektive dhe një sistemi ligjor të përbashkët, duke nënkuptuar një integrim të plotë të shteteve të përfshira në të. Synimi ishte të kapërceheshin jo vetëm shkaqet socio-ekonomike dhe politike të nacionalizmit shkatërrues, por të sigurohej që ngatërrestari historik dhe njëherazi ekonomia më e fortë e Evropës, Gjermania, të përfshihet njëherë e mirë në këtë aleancë.

Në dekadat që pasuan, NATO dhe BE (fillimisht Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, dhe më pas Komuniteti Ekonomik Evropian) u bënë shtyllat përkatëse ushtarake dhe ekonomike të sigurisë dhe prosperitetit evropian, dhe rrjedhimisht të rendit evropiano-perëndimor. Por me fundin e Luftës së Ftohtë, lindën pyetje të reja se si do të dukej rendi evropian. Përgjigja ishte se të dyja shtyllat e Evropës Perëndimore – NATO dhe BE – do të zgjeroheshin për të përfshirë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që i plotësonin kriteret për anëtarësim. Nga ana e tyre, shumë prej ish-republikave sovjetike dhe anëtarëve të Traktatit të Varshavës, kërkonin garanci që rendi evropian nuk do të rishikohej më vonë nga Rusia. Anëtarësimi në NATO dhe BE solli kështu premtimin e sigurisë kolektive dhe një tregu të përbashkët.

Shpresa ishte të eliminoheshin reliket e fundit të përplasjes së vjetër Lindje-Perëndim, dhe të sigurohej një paqe e përhershme përmes shkëmbimit ekonomik dhe ndërvarësisë. Megjithatë, nën sundimin e Putinit, Rusia ka ndjekur një politikë tjetër. Ajo ka synuar të rivendosë statusin e saj si një fuqi globale duke pretenduar gjithnjë e më shumë “territore ruse”; gjë që nënkupton një përmbysje të rendit post-sovjetik. Duke parë të kaluarën dhe jo të ardhmen, Putin dëshiron ta rivendosë perandorinë e vjetër ruse. Ndërsa ukrainasit po shprehnin gjithnjë e më shumë dëshirën e tyre për t’u integruar me Perëndim, Putin ndërmori hapat për të mohuar lirinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Në vitin 2014, ai aneksoi Krimenë, dhe shkaktoi një luftë me intensitet të ulët në rajonin lindor të Donbasit. Dhe prej 3 muajsh ai ka nisur një luftë gjithëpërfshirëse, duke shkatërruar çdo shans për një bashkëjetesë paqësore midis Rusisë dhe BE-së, të paktën për sa kohë që ai do të mbetet në pushtet. Ndarja gjeografike, e detyruar nga shantazhi me armë bërthamore, do të dominojë sërish mbi marrëdhëniet diplomatike dhe bashkëpunimi ekonomik. Tani BE-ja do të duhet të fokusohet shumë më tepër sesa në të kaluarën tek çështjet e sigurisë dhe ato gjeopolitike.

Prandaj, BE-ja e së ardhmes do të ketë nevojë për një strukturë më fleksibël, për një strukturë gati – konfederative që rrethon një strukturë federative në bërthamën e saj. Në vend se të kërkojë anëtarësim të plotë ose asgjë fare, Brukseli mund t’u ofrojë vendeve një qasje më të madhe në tregun e përbashkët, sigurinë e përbashkët, komunitetin ligjor të BE-së, monedhën e përbashkët, e kështu me radhë. BE-ja nuk mund të zgjerohet pafundësisht. Por ajo duhet të pranojë se interesat e saj gjeopolitike shtrihen shumë më larg sesa instrumenti i anëtarësimit të plotë në union. Për sa kohë që regjimet autoritare përbëjnë një kërcënim të prekshëm, Bashkimi Evropian që përfaqëson alternativën ekonomike dhe shoqërore më cilësore, do të bëhet një forcë gjithnjë e më e rëndësishme jo vetëm në kontinentin evropian, por në zonën më të gjerë gri në lindje, ku nuk ka ende kufi të qartë me Azinë. Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, situata atje kërkon një fleksibilitet të ri strukturor dhe jo një respektim të ngurtë të marrëveshjeve të vjetra, të sforcuara apo premtimeve që nuk mund të përmbushen.

Artikulli paraprakLIGJI/ JA KUR DO TË MERRET NË MBROJTJE NGA GARDA E REPUBLIKËS PRESIDENTI I RI I VENDIT
Artikulli tjetërCOVID-19/ MSH: 33 QYTETARË TË INFEKTUAR, ASNJË HUMBJE JETE DHE 21 TË SHËRUAR NË 24 ORËT E FUNDIT