Apeli ditë pas dite nga ana e “Star Plus” për harresën ndaj shtëpisë ku ka jetuar për disa kohë ish-futbollisti dhe ish-trajneri i famshëm shkodran Loro Boriçi duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Prej pak ditësh në atë që deri më tani ishte një ngrehinë e kohës, kanë nisur intesivisht punimet. Natyrisht që nisja e punimeve është një lajm i mirë sepse ajo pjesë e mureve bashkë me arkitekturën e vjetër që ka mbetur tashmë nuk do të shemben edhe pse rreziku ishte i madh.

Këshilli i restaurimeve që në vitin 2013-të miratoi projektin për rikonstruksionin e shtëpisë së Loro Boriçit pas privatizimit të saj nga një firmë italiane por që nga ajo kohë fillimisht vetëm u vendosën disa skela dhe pothuajse për dy vite u la ashtu dhe përfaqësuesit e firmës u zhdukën pa lënë gjurmë. “Star Plus” ka ndjekur hap pas hapi këtë çështje derisa institucionet pranuan se firma në fjalë nuk ka para për ta zbatuar projektin. Kjo patjetër që sillte një dëm të madh dhe rrezikonte që muret e vjetra të shembeshin, shkaqe për të cilat kanë shtuar vëmendjen ndaj atij objekti me shumë vlera historike e kulturore. Patjetër që ngritja e këtij problemi për disa ditë me radhë e po ashtu edhe idea se në shtator pritet të miratohet një ligj për ndërtesa të tilla që edhe pse fitohen projektet nëse lihen në harresë shteti i privatizon dhe investon duke i mbrojtur për të mos u shembur e për të mos humbur vlerat e çmuara që kanë. Kështu firma italiane që ka pronësinë e shtëpisë së Loro Boriçit ka rifreskuar lejen në bashkinë Shkodër pas përfundimit të afatit 6-mujor në mosnisjen e punimeve dhe prej ditësh tashmë po punohet intensivisht për zbatimin e projektit që ekziston prej dy vitesh. Shpresojmë që kësaj here firma ta ketë marrë në mënyrën më serioze të mundshme për të çuar deri në fund zbatimin e projektit për rikonstruksionin e shtëpisë së Loro Boriçit dhe jo punimet të ndërpriten sërish siç ndodhi herën e parë sepse ajo godinë ku jetoi një prej personaliteteve më të mëdha të futbollit shqiptar mbart shumë vlera dhe është një dëshmi që ja shton krenarinë Shkodrës.

Artikulli paraprakBANORËT E HOTIT, FESTOJNË SHËN GJONIN
Artikulli tjetërURA QË TË ÇON NË KALANË “ROZAFA” RREZIKON TË SHEMBET