“E ka ngrënë ujku” dhe “theu këmbën” janë disa prej kodeve që kanë dalë nga përgjimet e prokurorisë të kryepleqve në Dukagjin që i përdornin me kultivuesit e drogës në Dukagjin gjatë vitit të kaluar.

Gjykata e shkallës së parë në vlerësim të masës së sigurisë ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për disa prej shtetasve të arrestuar ditët e fundit të cilët akuzohen dhe dyshohen si kultivues të bimëve narkotike.

Fillimisht përpara gjykatës kanë dalë dy kryepleqtë në Dukagjin Dritan Lisaj, Gjin Lushi dhe efektivi i FNSH që punonte si shofer Ardian Loci. Ky i fundit në momentin kur ka folur përpara gjyqtarit Tonin Sterkaj ka derdhur lot duke thënë se ka 21 vite në strukturat e shtetit dhe se ka gruan dhe njërën prej vajzave të smurë ndërsa ka hedhur poshtë akuzën se ai ka dekonspiruar aksionet e policisë në Dukagjin për drogën gjatë vitit të kaluar siç tha prokurori i çështjes Albert Muça.

Duke qarë shoferi i FNSH tha: “Kam 21 vite shofer në FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzë me sëmundje të keqe në kokë. Kam vajzën tjetër të vogël që s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marrë asnjë shpërblim dhe kam shërbyer me devotshmëri. Kam shtëpinë pa pllaka dhe s’kam bukë për të ngrënë.

E ndjej veten shumë të rënduar aq sa të vras veten. Janë akuza të shpifura. Edhe një shpërblim që mora kam shlyer borxhet dhe energjinë. S’kam patur lekë t’i paguaj vajzës ilaçet. Nuk i përkas asaj kategorie. Unë i kam çuar një shoku një thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret. Në rregull më tha.

Si qenka, unë kam folur me një të njohur në lagje dhe tani akuzohem. Jam shumë i zhgënjyer me këtë që më është bërë”. Prokurori Muça kërkoi masën “arrest me burg” sepse për shoferin e FNSH ka përgjime telefonike që provojnë se ka dekonspiruar aksionet policore duke patur lidhje me grupin e të arrestuarve për drogën.

Edhe për kryeplakun e fshatit Mgullë u la në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg” sepse edhe për të organi i akuzës disponon regjistrime telefonike me nipin e tij dhe persona të tjerë të arrestuar. Avokati mbrojtës Bujar Hoti tha se biseda si “më ka ngrënë ujku apo kam thyer këmbën” nuk janë prova për të mbajtur klientin e tij në paraburgim.

Vetë kryeplaku Lisaj tha se: “Kam dërguar letrat për tokën e bukës në bashkinë Shkodër dhe i kam thënë se për zonën malore s’kam çfarë bëj sepse nuk jam për atë punë. Për fshatin brenda që kam marrë përsipër jam i pastër”. Edhe kryeplaku Gjin Lushi u shpreh se “Është e padrejtë. Kam qenë kryeplak dhe me këtë akuzën kushdo ta ketë provë, s’ka vlerë sepse s’ka bashkëpunuar kush me mua as unë me kende tjetër”.

Edhe për shtetasin Gjin Lushi gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Artikulli paraprakHANI I HOTIT, SEKUESTROHEN 66 KG KANABIS
Artikulli tjetërDURRËS, BABAI I HEDH UJË TË NXEHTË VAJZËS 14-VJEÇARE