Arrestohet gruaja shtatzënë midis korrierëve, transportonte drogë nga Shqipëria

Policia e Napolit ka shkatërruar një organizatë italo-shqiptare të trafikut të drogës, me një numër të madh arrestimesh, midis tyre edhe një grua italiane shtatzënë. Operacioni me emrin e koduar “Smoke snake”, realizuar nga Guardia di Finanza e Kazertës ka sjellë nxjerrjen e 26 urdhër-arresteve, 21 me burg dhe pesë në arrest shtëpie. 19 nga të hetuarit janë italianë, shtatë shqiptarë, katër prej të cilëve gjenden aktualisht në burg në Shqipëri. Në një vit e gjysmë hetime, Guardia di Finanza ka arrestuar 9 persona, korrierë droge, ka sekuestruar 38 kile marijuanë, 7.4 kile heroinë dhe disa dhjetëra gramë hashash, gjithçka falë qenve të anti-drogës dhe skanerëve të doganës që skanojnë me rreze X karroceritë e makinave, ku shpesh fshihet droga. Gruaja e arrestuar u përpoq të kalonte autoritetet në portin e Barit duke e fshehur drogën në korsé, por pa sukses. Hetimet kanë nisur në maj 2016 dhe financierët kanë çmontuar një organizatë që merrej me shpërndarjen e drogave të rënda në komunat Marcianise, Capodrise, Macerata Campania e Portico di Caserta. Përgjimet telefonike dhe në terren zbuluan ekzistencën e një karteli të përbërë nga katër grosistë italianë, të gjithë napoletanë, që kishin rënë dakord për të vënë së bashku kapitalin e nevojshëm për të blerë sasi të madhe droge nga jashtë e për ta rishitur në Itali. Hetuesit zbuluan që ishte një ndërmjetës shqiptar që vendoste kontaktet midis grosistëve italianë dhe atyre në Shqipëri, të cilët shisnin sidomos heroinë e marijuanë. “Bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare ishte thelbësor për të siguruar operativitetin e grupit në Shqipëri”, shpjegoi komandanti i Guardia di Finanza të provincës së Kazertas, Andrea Mercatili, gjatë konferencës për shtyp. “Bëhet fjalë për një operacion të nisur nga themelet, falë të cilit arritëm të zbulojmë kokën e kësaj organizate”.

Artikulli paraprakPËRPLASJE ME ARMË NË GREQI, PLAGOSET 22 VJEÇARI SHQIPTAR
Artikulli tjetërRAMA PROPOZON ISH-KREUN E SHISH AMBASADOR NË NATO