Nga qyteti i Mallakastrës, kryetari i PD Lulzim Basha paralajmëroi të tjera shkarkime në administratë për këdo që prek votën e lirë dhe shandazhon qytetarët. Duke u ndalur në marrëveshjen politike me Ramën, kryeopozitari Basha tha se në 18 maj Republika e Vjetër nënshkroi aktin e kapitullimit.

Basha: Sot vijmë tek ju me një beteje të fituar nga bashkimi popullor qytetar për demokraci të vërtetë, me gjysmën e kabinetit të republikës së vjetër të rrëzuar, me 7 gardian ministra teknik, të cilët kanë për detyrë të zbatojnë një kod të ndryshuar penal që do të çojë prapa hekurave këdo që guxon të prekë votën dhe vullnetin e qytetarëve. Ankohen se kanë ikur 20 apo 30 drejtorë, do të ikën edhe 300 të tjerë nëse guxojnë të prekin dhe shantazhojnë qytetarët. Koha e zullumqarëve po merr fund, koha e maskarenjve po merr fund, koha e matrapazëve po merr fund, koha e mashtruesve po merr fund, po vjen koha e njerëzve të thjeshtë punëtorë të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë.

Republika e vjetër nënshkroi më 18 maj paktin e kapitullimit të saj. Kapitulloi duke nënshkruar reformën kushtetuese, reformën zgjedhore, votimin elektoronik, numërimin elektronik. Kushtet që në dhe bashkimi qytetar shpallën në çadrën e lirisë. Sot përfaqësuesit e republikës së vjetër me në krye Ramën po bëjnë gjithcka që ta shesin këtë si një koncesion dashamirës ndaj PD apo ndaj meje duke ngritur kishtat lart, duke folur për kryengritje kundër republikës së vjetër. Kjo nuk ishte dhuratë, ju e dini fare mirë se çfarë e shtyu republikën e vjetër të dorëzohej dhe të pranonte kapitullimin. Këtë betejë nuk e fitoi askush tjetër përveç qytetarëve të bashkuar dhe të vendosur. Ky është mësimi i 90 ditëve të lëvizjes më të madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.